Real Madridi raportohet se ka arritur marrëveshje me RB Leipzigun për transferimin e anësorit nga Bregu i Fildishtë, Yan Diomande, në një marrëveshje me vlerë mbi 100 milionë euro. 19-vjeçari ka rënë dakord edhe për kushtet personale me gjigantin spanjoll dhe pritet të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare, e vlefshme deri në qershor të vitit 2031.
Eksperti i merkatos, Fabrizio Romano, e konfirmoi lajmin, duke bërë të ditur se marrëveshja mes dy klubeve është finalizuar. “EKSKLUZIVE: YAN DIOMANDE TE REAL MADRIDI, HERE WE GO! Marrëveshja u mbyll sonte me RB Leipzig për një shumë mbi 100 milionë euro për anësorin nga Bregu i Fildishtë”, shkroi Romano në rrjetet sociale.
Diomande pritet të udhëtojë drejt Madridit gjatë kësaj jave për t’iu nënshtruar testeve mjekësore, përpara se të përfundojë procedurat zyrtare dhe të nënshkruajë kontratën me Real Madridin. Për Diomanden në garë ishin edhe Liverpooli e PSG-ja, por që dy klubet në fjalë nuk ishin të gatshme të paguanin një shumë mbi 100 milionë euro për yllin e ri.
Madje, PSG-ja me një deklaratë të lëshuar në “Sky DE”, ka bërë me dije se arsyeja pse doli nga gara ishte se nuk donte të thyente rregullat e tij financiare, që i vlerëson shumë. Diomande u transferua te Leipzigu nga Leganes në verën e vitit 2025, për shumën e 20 milionë eurove. Për Leipzigun sezonin e kaluar, Diomande arriti të shënojë 15 gola e të dhurojë 11 asistime në të gjitha garat..
