Që nga 29 prilli i vitit 2025, Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës nuk ka mbajtur asnjë mbledhje, ndonëse anëtaret e këtij trupi kolegjial kanë marrë paga vjetore, secila mbi 16 mijë euro. Hulumtimi disamujor i Kallxo Përnime ka zbardhur prapaskenat e bllokimit të punës në njërin prej institucioneve më të rëndësishme për ekonominë e vendit.
Sipas ligjit, Autoriteti i Konkurrencës mbron konkurrencën e lirë, lufton monopolet dhe marrëveshjet e ndaluara, që në gjuhën juridike njihen edhe si kartele. Kryetare e bordit të Autoritetit të Konkurrencës është Neime Binaku-Isufi, nënkryetare Kaltrina Sela dhe anëtare Nafije Osdautaj.
Dy anëtarët e tjerë të bordit, Salie Gashi-Loku dhe Florent Mehmeti, kishin dhënë dorëheqje në vitin 2025. Si u bllokua puna e Komisionit? Në vitin 2022, Autoriteti i Konkurrencës kishte nisur një hetim ndaj dy kompanive, “ArtMotion” dhe “Kujtesa”. Pretendohej se kishte ndodhur shitblerja e aksioneve të kompanive pa një njoftim paraprak të Autoritetit të Konkurrencës.
Vendimmarrja nuk është përfunduar as pas katër vitesh. Kur rasti ishte drejt përfundimit, nënkryetarja e Komisionit, Kaltrina Sela, kishte deklaruar konfliktin e interesit. Ajo ishte tërhequr nga vendimmarrja në Komision edhe pas një interpretimi të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit të datës .
Për të sqaruar tutje situatën, vetë kryetarja e Komisionit, Neime Binaku-Isufi, kishte kërkuar nga APK-ja një interpretim nëse nënkryetarja Sela është në konflikt të interesit në rastin ku hetoheshin kompanitë e telekomunikimeve.
“Lidhur me gjendjen e nënkryetares Kaltrina Sela, e cila vazhdimisht është në konflikt interesi me korporata të mëdha, të cilat Autoriteti i Konkurrencës i ka nën hetim e veçanërisht tek sektori i telekomunikimeve” – thuhej në kërkesën e kryetares Neime Binaku-Isufi drejtuar Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
APK-ja, më , kishte nxjerrë një opinion, i cili konstatonte se përfshirja e nënkryetares Kaltrina Sela në vendimmarrje në rastet e hetimeve të kompanive të telekomunikimeve përbënte konflikt interesi. Por, me konstatimin e APK-së nuk ishte pajtuar vetë Kaltrina Sela, e cila i ishte drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë për ta kontestuar atë opinion.
Në një përgjigje për Kallxo Përnime, vetë Sela ka shpjeguar situatën. “Opinioni i APK-së ishte në kundërshtim të hapur me realitetin dhe gjendjen faktike, andaj ndaj tij unë kam ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dhe në dhjetor 2025 Gjykata ka nxjerrë aktgjykim, ku e ka anuluar këtë opinion të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit” – ka thënë ajo.
“Lidhur me këtë aktgjykim unë e kam njoftuar Kryetaren znj. Binaku Isufi, por përsëri ajo ka vazhduar të më pengojë në ushtrimin e funksionit edhe pas aktgjykimit” – ka deklaruar nënkryetarja Sela.
Kallxo Përnime ka konfirmuar se tani rasti po trajtohet në shkallën e dytë në Gjykatën e Apelit, pasi Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka ushtruar ankesë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë të gjykatës. Tutje, nënkryetarja e Autoritetit të Konkurrencës ka drejtuar akuza ndaj kryetares, Neime Binaku-Isufi. “Znj.
Neime Binaku Isufi, Kryetare e Autoritetit të Konkurrencës, në vazhdimësi ka penguar punën time si Nënkryetare e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës që nga muaji nëntor i vitit 2024, duke më pamundësuar ushtrimin e funksionit të nënkryetares. Arbitrariteti e kundërligjshmëria janë metoda të punës të Kryetares znj. Binaku Isufi dhe Drejtorit të Përgjithshëm z.
Selajdin Beqa, të cilat tashmë dihen nga secili zyrtar në AKRK” – ka thënë në përgjigje me shkrim Kaltrina Sela. Në lidhje me pretendimet e ngritura nga Kaltrina Sela për pengim në ushtrimin e detyrave si nënkryetare e Komisionit të Autoritetit, institucioni përmes një përgjigjeje me shkrim ka komentuar rastin.
“Funksionimi i Komisionit dhe mbajtja e mbledhjeve zhvillohet në përputhje me kërkesat ligjore për kuorum dhe standardet e integritetit institucional. Çështjet që lidhen me konfliktin e interesit trajtohen në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe opinionet e institucioneve kompetente” – thuhet në përgjigje.
“Nuk ka pasur vendime apo udhëzime të brendshme që kufizojnë pjesëmarrjen e anëtarëve në mbledhje” – ka deklaruar AK në përgjigjet zyrtare me shkrim. Neime Binaku-Isufi, kryetare e Komisionit të Konkurrencës, nuk ka pranuar të japë intervistë apo të përgjigjet në pyetjet direkte rreth funksionimit të Komisionit që ajo i prin.
Gjatë një takimi në zyrat e Autoritetit të Konkurrencës, drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Selajdin Beqa, ka konfirmuar që Komisioni nuk është funksional. Ai, po ashtu, ka folur edhe për rastin e konfliktit të interesit të nënkryetares, Kaltrina Sela.
“Ka, nja tre vendime të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit që ndaj nënkryetares ka vendosur, që ka konstatu rastet, që minimumi nja dy a tri janë vendos. Kjo ka nja katër a pesë firma, sipas evidencës, që operojnë në tregje të ndryshme, duke përfshirë edhe te kabllorët që furnizojnë me produkte, kanë marrëdhënie kontraktuale. Sipas ligjit, ajo duhet të tërhiqet.
Dy vendimet janë të tërhiqet, i fundit është opinioni ku konstaton që duhet të largohet nga pozita” – ka thënë Beqa. Kallxo Përnime ka dërguar pyetje në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit për të konfirmuar nëse opinioni i këtij institucioni parasheh që Kaltrina Sela të largohet nga pozita e nënkryetares së Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës.
APK, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka mohuar të ketë nxjerrë opinion që parasheh largimin nga pozita të Kaltrina Selës. “Opinioni i Agjencisë me nr. DPKI-1592/24 nuk përmban konstatim apo vendim se znj. Kaltrina Sela ‘duhet të largohet nga pozita’ e nënkryetares së Autoritetit të Konkurrencës.
Për më tepër, pas nxjerrjes së këtij opinioni, APK ka njoftuar Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si institucion ndaj të cilit përgjigjet Autoriteti i Konkurrencës, duke i përcjellë opinionin përkatës” – thuhet në përgjigje.
Sipas ish-anëtares së bordit, Salihe Gashi – Loku, Komisioni ka mundur të mblidhet për raste të tjera, përveç rastit ku hetoheshin kompanitë e telekomunikimeve.
“Po, po e kam përcjellë se njëra prej tyre ka pasur konflikt interesi me një prej kompanive, por rastet e tjera, me sa kam kuptuar unë prej ligjit, nuk i mohohet e drejta me votu në raste të tjera…” – ka thënë Gashi – Loku për Kallxo Përnime. Në anën tjetër, kompania “Devolli Corporation” nuk ka pranuar të komentojë rastin për të cilin është përmendur, duke thënë se po zhvillohen hetime.
“Duke pasur parasysh se çështja në fjalë aktualisht është objekt i procedurave përkatëse pranë institucioneve kompetente, si dhe faktin se Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj personit përgjegjës të Autoritetit të Konkurrencës lidhur me veprimet dhe shkeljet e pretenduara në kuadër të kësaj çështjeje” – thuhet në përgjigje.
“Konsiderojmë se nuk do të ishte e përshtatshme që, në këtë fazë, të komentojmë publikisht apo të japim informacione të mëtejshme lidhur me procedurën administrative dhe rrethanat që janë objekt shqyrtimi” – deklaron “Devolli Corporation”.
