Grealish flet për trajnerin e ri të Cityt

0%

Trajneri i ri i Manchester Cityt, Enzo Maresca, i ka ofruar Jack Grealishit një mundësi për të ringjallur karrierën e tij në “Etihad Stadium”.

Grealish e kaloi sezonin e kaluar në huazim tek Evertoni, por Maresca ka bërë të ditur se ruan një marrëdhënie të mirë me futbollistin, për të cilin City pagoi 100 milionë funte, dhe është i gatshëm ta vlerësojë pasi të rikuperohet plotësisht nga dëmtimi.

Grealish pati vështirësi të siguronte minuta gjatë sezonit 2024/25 përpara huazimit, duke luajtur vetëm në 20 ndeshje të Premierligës me Manchester Cityn. Ai grumbulloi 715 minuta, shënoi një gol dhe dhuroi një asistim.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në gusht të vitit 2025 ai iu bashkua Evertonit në formë huazimi, ku rigjeti ritmin me dy gola dhe gjashtë asistime në 1,632 minuta lojë, përpara se të pësonte një dëmtim në këmbë.

Maresca, i cili ka marrë drejtimin e një skuadre që nuk ka arritur ta fitojë titullin kampion në dy sezonet e fundit, pranoi se është e vështirë të japë një vlerësim për të ardhmen e Grealishit, pasi lojtari vazhdon rikuperimin. “Kur nuk punon çdo ditë me lojtarët, është e vështirë t’i gjykosh. Nuk e di çfarë ka bërë. Është e ndërlikuar,” u shpreh Maresca.

Edhe pse Evertoni vendosi të mos aktivizojë opsionin prej 50 milionë funtesh për ta blerë përfundimisht Grealishin, trajneri italian nuk e ka mbyllur derën për anësorin anglez, i cili iu bashkua Manchester Cityt nga Aston Villa në vitin 2021 për 100 milionë funte.

Gjatë karrierës së tij me Cityn, Grealish ka zhvilluar 157 ndeshje dhe ka shënuar 17 gola, duke fituar tre tituj të Premier League, një FA Cup, një Kupë të Botës për Klube dhe një Ligë të Kampionëve. Maresca, i cili ka punuar më parë me Grealishin si ndihmëstrajner i Pep Guardiolës te Manchester City, theksoi marrëdhënien e mirë mes tyre.

“Në çdo klub ku shkoj, është detyra ime të stërvis lojtarët që janë pjesë e skuadrës dhe Jack aktualisht është këtu. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me të dhe që prej largimit tim kemi mbajtur kontakte. Ai ka zemër të madhe dhe është një djalë shumë i mirë, por do të shohim se çfarë do të ndodhë,” shtoi Maresca.

Megjithatë, përparësia kryesore për momentin mbetet rikthimi i plotë në formë fizike. Grealish po punon për të lënë pas problemin e vazhdueshëm në këmbë që i ndërpreu ecurinë pozitive te Evertoni.

Manchester City ka aktualisht shumë alternativa në repartin ofensiv, ndaj Grealish do të duhet së pari të dëshmojë se është plotësisht i gatshëm fizikisht përpara se të luftojë për një vend në skuadrën që synon të rikthejë titullin kampion.

Së fundmi, anglezi ndau një përditësim pozitiv në rrjetet sociale për procesin e rehabilitimit, duke shprehur dëshirën për t’u ribashkuar me bashkëlojtarët pas mungesës në muajt e fundit të sezonit. “Ishte bukur t’i shihja të gjithë. Jam shumë pranë rikthimit – shpresoj që nuk do të kalojë shumë kohë derisa të kthehem në stërvitje,” shkroi Grealish..

Burimi: Bota Sot