Trajneri i Newcastle Unitedit, Eddie Howe, ka pranuar se nuk është i sigurt për të ardhmen e kapitenit të skuadrës, Bruno Guimaraes, mes interesimit në rritje nga Arsenali. Pas largimeve të rëndësishme gjatë kësaj vere, tekniku anglez foli hapur për vështirësitë në mbajtjen e lojtarëve kryesorë, duke e cilësuar këtë periudhë si “të dhimbshme”.
Spekulimet për një largim të mundshëm të Guimaraes nga “St James’ Park” janë shtuar ditët e fundit. Arsenali ka intensifikuar interesimin për mesfushorin brazilian, edhe pse klubet ende nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për shumën e transferimit. Pas barazimit 1-1 në miqësoren ndaj Gateshead të shtunën, Howe komentoi zërat për të ardhmen e kapitenit të tij.
Në një prononcim për “Sky Sports”, ai pranoi se nuk ka një pasqyrë të qartë mbi situatën. “Nuk e di se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Brunos. Kjo është diçka për të cilën të tjerët mund të spekulojnë, por janë edhe biseda ku unë nuk jam pjesë,” tha Howe.
Pavarësisht lidhjeve të vazhdueshme të Guimaraes me Arsenalin, trajneri theksoi se gëzon një marrëdhënie shumë të mirë me mesfushorin brazilian. “Kemi zhvilluar disa biseda shumë të mira, para Kupës së Botës, gjatë Kupës së Botës dhe pas Kupës së Botës,” u shpreh Howe.
“Ajo për të cilën flasim duhet të mbetet private, por ai është një futbollist i jashtëzakonshëm dhe një njeri fantastik”, shtoi ai. Paqartësia rreth të ardhmes së Guimaraes vetëm sa e rëndon edhe më shumë një merkato tashmë shumë të vështirë për Newcastle United.
Pas transferimit të Alexander Isak te Liverpooli në shtatorin e kaluar, klubi ka humbur këtë verë edhe Sandro Tonalin, i cili iu bashkua Tottenham Hotspurit, si dhe Anthony Gordonin, që u transferua te Barcelona. Duke folur për ndikimin e largimit të lojtarëve kryesorë, Howe nuk e fshehu zhgënjimin e tij. “Nuk duam t’i humbasim lojtarët tanë më të mirë. Kjo është diçka e qartë.
Humbja e dy prej tyre ka qenë e dhimbshme për ne dhe shumë e vështirë,” deklaroi ai. “Për mua, kjo ka qenë edhe një verë tjetër sfiduese, por ne gjithmonë përpiqemi të bëjmë më të mirën për klubin, si në planin afatshkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë, dhe të ndërtojmë skuadrën sa më të fortë të jetë e mundur”, e mbylli ai.
