Nga: Rrezon Gashi Shpërndaje në: Qytetarët e Kosovës duhet të ndihen të sigurt, pavarësisht mesazheve kërcënuese të presidentit serb, ka thënë ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Ai ka theksuar për KOHËN se Forca e Sigurisë po forcohet çdo ditë dhe se shteti po i rrit kapacitetet e tij mbrojtëse në bashkëpunim me aleatët Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se qytetarët e Kosovës duhet të ndihen të sigurt, pavarësisht kërcënimeve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Gjatë ceremonisë së promovimit të oficerëve të rinj të Ushtrisë serbe, Vuçiq u ka kërkuar atyre të jenë të gatshëm për mbrojtjen e, siç e ka quajtur ai, tokës së shenjtë të Serbisë, duke aluduar në Kosovën.
“Kosova është pjesë e atdheut tonë, pjesë e Serbisë sonë, edhe sipas Kushtetutës, edhe sipas drejtësisë së Zotit, dhe këtë duhet ta kujtojmë, dhe këtë shenjtëri duhet ta ruajmë”, ka thënë të shtunën Vuçiqi. E, ministri në detyrë Maqedonci ka thënë se strehimi i terroristëve, militarizimi i vazhdueshëm dhe retorika revizioniste e bën Serbinë burim jostabiliteti në rajon.
“Çdo rritje e kapaciteteve ushtarake e shoqëruar me retorikë që cenon sovranitetin e Kosovës kërkon vëmendje serioze, por qytetarët duhet të ndihen të sigurt.
Ministria e Mbrojtjes po mbështet intensivisht zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës përmes modernizimit të armatimit dhe pajisjeve, ngritjes së kapaciteteve operacionale, avancimit profesional të personelit, zhvillimit të industrisë së mbrojtjes dhe forcimit të ndërveprueshmërisë me aleatët”, ka thënë Maqedonci.
Para oficerëve, Vuçiq i është referuar marrëveshjes ushtarake ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, që sipas tij, përbën aleancë kundër Serbisë. Me të ka arsyetuar edhe investimet në ushtri. Maqedonci ka thënë se Beogradi zyrtar e përdor vetëm si justifikim marrëveshjen, dhe ka theksuar se ky shtet ka rritur investimet në ushtri shumë para nënshkrimit të Deklaratës.
Ai ka thënë se edhe Kosova ka rritur kapacitet e saj mbrojtëse përmes modernizimit të pajisjeve, zhvillimit të industrisë dhe rritjes së buxhetit. “Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe vendet aleate mbetet shtylla kryesore e sigurisë sonë. Prandaj, qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të ndihen të sigurt.
Kosova është e sigurt dhe çdo ditë po forcon më tej kapacitetet e saj mbrojtëse, duke u shndërruar gjithnjë e më shumë në një faktor stabiliteti në rajon dhe një kontribuuese të besueshme për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, krah aleatëve tanë”. NATO është prezente në Kosovë, me misionin e saj, KFOR.
Por, anëtarësimi në këtë aleancë mbetet peng i mosnjohjes prej 4 shteteve anëtare të saj, Spanjës, Greqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë. Ish-ushtaraku Hysen Gecaj ka shtruar nevojën për thellim raportesh me aleatët, me qëllim që të bëhet më e lehtë rruga drejt anëtarësimit.
“Mbrojtja më e mirë e një shteti, edhe në këtë rast edhe e Kosovës, është integrimi në institucionet e NATO-s dhe bashkëpunimi bashkë me ta, ajo çka po synohet edhe prej vetë NATO-s që ta bëjë edhe në Ballkan e në Kosovë.
Dhe për t’u përmbushur ky plan, duhet të përmbushen dy komponentët: është komponenta ushtarake e cila është në rrugë të shkëlqyeshme, sepse e ka një bazë që nga themelimi i saj si Forcë e Sigurisë; dhe komponenta politike e cila për fat të keq po shkon duke u degraduar”, ka thënë ai. Kërcënimi i Vuçiqit nuk është përcjellë me reagime të ndërkombëtarëve.
Por, ata kanë dënuar një deklaratë që dy javë më parë e ka dhënë ministrja serbe e Administrimit Publik dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, sipas së cilës, po të kishte qenë në vendin e Slobodan Millosheviqit në vitin 1998, “do ta spastronte etnikisht Kosovën”.
