Sileksi nga Kratoca e ka nisur në mënyrën më bindëse sezonin e ri në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, duke mposhtur Bashkimin e Kumanovës me rezultatin e thellë 6:0. Skuadra mysafire u paraqit në Kratovë me një formacion të përbërë kryesisht nga futbollistë të rinj, me plot gjashtë lojtarë nga ekipi i të rinjve, duke e pasur të pamundur t’i bëjë ballë vendasve.
Sileksi dominoi ndeshjen nga fillimi deri në fund. Iliovski shënoi që në minutën e tretë, ndërsa pesë minuta më vonë erdhi autogoli i mysafirëve nga Hanuzi. Delimexhac realizoi golin e tretë në minutën e 30-të, duke vulosur epërsinë 3:0 në pjesën e parë.
Në vazhdim, vendasit vazhduan me të njëjtin ritëm dhe shënuan edhe tre herë të tjera përmes Sheros, Hasukiqit dhe Manojlovit, duke e mbyllur sfidën me fitoren e thellë 6:0. Sileksi pati edhe dy gola të anuluar dhe mund ta kishte bërë rezultatin edhe më të thellë, ndërsa Bashkimi la një përshtypje shumë të dobët në ndeshjen hapëse të kampionatit.
