Lugina e Preshevës, e përbërë nga komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, vazhdon të mbetet një nga nyjet më të ndjeshme politike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Pozita e saj gjeografike, përbërja etnike dhe historia e zhvillimeve politike e bëjnë këtë rajon një hapësirë ku stabiliteti nuk mund të merret si i mirëqenë.
Çdo shpërfillje e të drejtave të shqiptarëve, çdo politikë diskriminuese dhe çdo mungesë e dialogut institucional krijon rrezikun që pakënaqësitë e akumuluara të shndërrohen në faktor krize. Kur flitet për “potencialin krizësjellës” të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, nuk duhet kuptuar se shqiptarët përbëjnë burimin e krizës.
Përkundrazi, potenciali krizësjellës lind si pasojë e politikave të gabuara shtetërore, të cilat, nëse vazhdojnë, mund ta shndërrojnë një komunitet të diskriminuar në një faktor të pashmangshëm të destabilizimit rajonal. Prandaj, problemi nuk është te shqiptarët, por te mënyra se si trajtohen ata nga institucionet e Serbisë.
Historia e tri dekadave të fundit dëshmon se shqiptarët e Luginës kanë zgjedhur vazhdimisht rrugën politike dhe institucionale për realizimin e të drejtave të tyre.
Referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992, përfaqësimi politik përmes partive shqiptare, pjesëmarrja në zgjedhje, dialogu me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe angazhimi për integrim evropian, kanë qenë dëshmi e orientimit paqësor të tyre. Megjithatë, përgjigjja e shtetit serb shpesh ka qenë krejt e kundërta.
Shqiptarët vazhdojnë të përballen me diskriminimin në punësim, me mungesë të përfaqësimit proporcional në institucionet shtetërore, me pengesa në përdorimin e gjuhës shqipe, me mosnjohjen e diplomave universitare, me pasivizimin e adresave të banimit dhe me mungesën e investimeve ekonomike. Këto politika kanë prodhuar një ndjenjë të thellë padrejtësie dhe pasigurie.
Veçanërisht shqetësues është fenomeni i pasivizimit administrativ të adresave, i cili ka prekur mijëra qytetarë shqiptarë. Përmes kësaj praktike, shumë qytetarë kanë humbur të drejtën e votës, të drejtën për dokumente personale, qasjen në shërbime publike dhe, në raste të caktuara, edhe të drejtën mbi pronën e tyre.
Ky mekanizëm administrativ ka krijuar perceptimin e një politike të heshtur të spastrimit etnik përmes mjeteve burokratike. Një tjetër element që e rrit potencialin e krizës është emigrimi masiv i të rinjve shqiptarë. Mungesa e perspektivës ekonomike, papunësia dhe diskriminimi institucional kanë detyruar mijëra familje të largohen drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Ky fenomen jo vetëm që dobëson strukturën demografike të rajonit, por krijon edhe një ndjenjë të thellë zhgënjimi ndaj institucioneve shtetërore. Paradoksi qëndron në faktin se shqiptarët janë ndër komunitetet më proevropiane në Serbi. Ata mbështesin integrimin në Bashkimin Evropian, bashkëpunimin rajonal dhe standardet demokratike.
Megjithatë, pikërisht ky komunitet përballet me nivelin më të lartë të diskriminimit institucional. Ky kontrast e bën situatën edhe më të ndërlikuar. Në marrëdhëniet ndërkombëtare ekziston një rregull i njohur: konfliktet nuk lindin vetëm nga dallimet etnike, por nga mungesa e drejtësisë.
Kur një komunitet për një kohë të gjatë ndihet i përjashtuar nga institucionet, humbet besimin te mekanizmat demokratikë. Pikërisht këtu qëndron rreziku më i madh për Luginën e Preshevës. Shqiptarët nuk kërkojnë privilegje.
Ata kërkojnë zbatimin e standardeve që Serbia i ka pranuar përmes Kushtetutës së saj, përmes Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit evropian. Barazia para ligjit nuk është favor politik, por detyrim juridik.
Nëse këto kërkesa vazhdojnë të injorohen, atëherë potenciali krizësjellës nuk do të jetë rezultat i ndonjë strategjie politike shqiptare, por pasojë e drejtpërdrejtë e politikave diskriminuese. Historia e Ballkanit ka dëshmuar se konfliktet zakonisht nuk shpërthejnë papritur; ato ndërtohen gradualisht përmes padrejtësive të vazhdueshme dhe mungesës së dialogut.
Një dimension i rëndësishëm është edhe konteksti rajonal. Stabiliteti i Kosovës, i Serbisë dhe i Ballkanit Perëndimor është i ndërlidhur. Çdo tension serioz në Luginën e Preshevës reflektohet në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por edhe në politikat e Bashkimit Evropian dhe të partnerëve euroatlantikë.
Për këtë arsye, Lugina nuk është vetëm çështje lokale; ajo është pjesë e arkitekturës së sigurisë rajonale. Komuniteti ndërkombëtar duhet të ketë një rol më aktiv në monitorimin e gjendjes së të drejtave të shqiptarëve në këtë rajon. Përvoja ka treguar se përfshirja e faktorit ndërkombëtar shpesh ka ndihmuar në uljen e tensioneve dhe në nxitjen e dialogut politik.
Një qasje parandaluese është gjithmonë më e dobishme sesa reagimi pas përshkallëzimit të krizës. Nga ana tjetër, edhe faktori politik shqiptar ka përgjegjësinë e vet. Fragmentimi politik, rivalitetet personale dhe mungesa e një platforme të përbashkët kanë dobësuar fuqinë negociuese të shqiptarëve.
Vetëm një përfaqësim unik, me objektiva të qarta dhe me strategji afatgjatë, mund të sigurojë mbrojtje më efektive të interesave kombëtare dhe qytetare. Një politikë e mençur duhet të ndërtohet mbi tri shtylla: unitetin politik të shqiptarëve, dialogun institucional me Beogradin dhe mbështetjen aktive të partnerëve ndërkombëtarë.
Çdo alternativë tjetër do të prodhonte vetëm tensione të reja dhe do ta largonte rajonin nga perspektiva evropiane. Potenciali krizësjellës i shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk është një kërcënim që buron nga identiteti i tyre kombëtar, por një paralajmërim për pasojat që mund të sjellë vazhdimi i padrejtësive.
Nëse Serbia zgjedh rrugën e barazisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe integrimit real të shqiptarëve në jetën institucionale, ky potencial do të shndërrohet në potencial stabiliteti dhe zhvillimi. Ballkani ka nevojë për më pak konflikte dhe më shumë drejtësi. Lugina e Preshevës nuk duhet të trajtohet si periferi politike, por si një urë bashkëpunimi ndërmjet popujve dhe shteteve.
Vetëm përmes respektimit të dinjitetit njerëzor, barazisë juridike dhe partneritetit të sinqertë mund të ndërtohet një paqe e qëndrueshme. Në fund, pyetja nuk është nëse shqiptarët e Luginës kanë potencial krizësjellës. Pyetja e vërtetë është nëse Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare do të veprojnë me kohë për t’i eliminuar shkaqet që mund ta prodhojnë një krizë të tillë.
Historia na mëson se paqja nuk ruhet duke injoruar problemet, por duke i zgjidhur ato me drejtësi, përgjegjësi dhe vizion. Preshevë,
