Ka ndërruar jetë legjenda e basketbollit të Kosovës, Mithat Belegu Kryetar i FBK-së, Arben Fetahu, ka thënë se ikja në amshim e ish basketbollistit, ish gjyqtarit dhe veprimtarit të basketbollit, është humbje e madhe për basketbollin dhe sportin në përgjithësi. “I dashur komunitet i basketbollit, me pikëllim të thellë kemi pranuar lajmin për ndarjen nga jeta të Mithat Belegu.
Ai ka dhënë kontribut të madh si lojtar e gjyqtar, derisa do të mbahet mend nga të gjitha gjeneratat për ndihmën e madhe në basketbollin e Kosovës. Vdekja e tij është një humbje e madhe për basketbollin e Kosovës. Mithat Belegu ka qenë lojtari më i mirë i Kosovës në vitet e 60-ta.
Më vonë, njeriu i cili tri herë ishte koshashënuesi më i mirë i Ligës së Dytë të Jugosllavisë u bë gjyqtar federativ kurse më 1978 u bë gjyqtar ndërkombëtar i FIBA-s, i pari nga Kosova.
Me 242 ndeshje në ligat federative të Jugosllavisë, prej të cilave 150 në Ligën e Parë të Meshkujve dhe karrierë ndërkombëtare që e ka dërguar në 4 kontinente të globit dhe në mbi 40 shtete, Mithat Belegu nga Peja ishte ambasadori më i mirë i basketbollit të Kosovës në kohën e ish Jugosllavisë.
Mithat Belegu ishte një prej emrave më të respektuar të basketbollit pejan, pjesë e gjeneratës së artë të KB Buduqnost (sot KB Peja), duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e sportit kosovar. Kujtojmë se ai ishte shpallur edhe Veteran i Vitit nga Federata e Basketbollit të Kosovës më 2024, duke u nderuar për kontributin e madh në basketbollin e Kosovës.
Në emrin tim personal dhe të Federatës së Basketbollit të Kosovës dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Belegu dhe gjithë komunitetin e basketbollit”, ka shprehur ngushëllime e Arben Fetahu.
