Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu pasditen e së dielës pyllin e Sodës në Vlorë, ku më shumë se pesë hektarë me pisha të buta u përfshinë nga flakët. I favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, zjarri u përhap me shpejtësi në një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllit, duke rrezikuar edhe zonën përreth.
Në terren ndërhynë forcat zjarrfikëse të Vlorës me të gjitha mjetet në dispozicion, të ndihmuara nga banorë të zonës, si edhe nga pronarë dhe punonjës të restoranteve pranë pyllit. Për më shumë se tre orë, ekipet punuan pa ndërprerje për të izoluar dhe më pas për të shuar flakët.
Në operacion u angazhuan gjithashtu forcat e Policisë së Vlorës, strukturat e Bashkisë dhe efektivë të FNSH-së Fier, të cilët monitoruan situatën dhe garantuan sigurinë në zonë.
Edhe pse vatra kryesore është vënë nën kontroll dhe po shuhet, zjarrfikësit vijojnë të qëndrojnë në terren për të monitoruar çdo riaktivizim të mundshëm, pasi era e fortë mund të favorizojë rindezjen e vatrave të mbetura.
