Shpërndaje në: Në çdo 26 korrik, shënohet Dita Memoriale e Policëve të rënë në detyrë. Në nder të tyre, në Kosovë gjendet një lapidar që mban emrat e secilit që humbi jetën në uniformën shtetërore. Në atë lapidar gjenden edhe emrat e dy zyrtarëve policorë që u vranë në rrethana ndryshe nga kolegët e tyre.
Enver Zymeri u vra më gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës në veri të vendit, pranë pikës kufitare të Bërnjakut. Ky operacion i policisë, kishte për qëllim vendosjen e kontrollit shtetëror në pikat kufitar Jarinje e Bërnjak. Zymeri iu bashkua policisë si pjesëtar i gjeneratës së dhjetë e më vonë u avancua në Njësinë Speciale.
Rënia e tij u konsiderua një moment kyç në përpjekjet e Kosovës për shtrirjen e rendit dhe ligjit në pjesën veriore të saj. Njësoj si Zymeri, në përballje me serbë të armatosur u vra edhe rreshteri Afrim Bunjaku më 24 shtator të vitit 2023, në atë që njihet si sulmi i Banjskës. Bunjaku atë natë ishte shef i ndërrimit në Stacionin Policor të Zveçanit.
Ai u nis me kolegët drejt fshatit Banjskë pasi ishte raportuar se rruga ishte bllokuar nga dy kamionë pa targa. Sapo mbërritën në hyrje të fshatit, patrulla u sulmua fillimisht me një minë të telekomanduar, e më pas me armë të rënda nga grupi serb i armatosur. Nga ky sulmi, Afrim Bunjaku mbeti i vrarë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë policorë u plagosën.
Por, çka dallon vdekja e Zymerit e Bunjakut nga kolegët e tyre të rënë po ashtu në krye të detyrës? Në vitin 2013, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një letër-këmbim me shefin e atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, u zotua se FSK-ja nuk do të dislokohet në veri – zonë e banuar me shumicë serbe – pa u dakorduar paraprakisht me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, unë jap garanci se FSK-ja do të ndërmarrë mision në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it”, shkruhet në letrën që mban nënshkrimin e Thaçit dhe datën 19 prill, 2013.
Kësisoj, duke qenë se FSK-ja nuk mund të dërgohet në pjesën veriore të territorit të Kosovës, komunat dhe pikat kufitare atje, menaxhohen nga njësite të Policisë së Kosovës. Pas vrasjes së Bunjakut, u zhvillua një operacion policor që zgjati disa orë në dhe rreth Manastirit të Banjskës.
Nga operacioni i Policisë së Kosovës, u vranë tre terroristë serbë, u arrestuan disa persona dhe u sekuestrua një arsenal i madh armësh, automjete të blinduara, eksploziv dhe pajisje ushtarake. Sipas aktakuzës të ngritur nga Pokuroria Speciale e Kosovës, synimi i këtij grupi serb por të armatosur rëndë, ishte ndarja e veriut nga territori i Republikës së Kosovës.
Në rastin e Enver Zymerit, pavarësisht se pati të dyshuar të arrestuar nga misioni i EULEX-it në Kosovë, ata u liruan më vonë “në mungesë të provave”. Përveç Policisë së Kosovës, komunat veriore i ruan misioni i EULEX-it dhe KFOR-it. Enver Zymeri dhe Afrim Bunjaku u dekoruan pas vdekjes me Urdhrin “Hero i Kosovës”, që është një nga dekoratat më të larta shtetërore në Kosovë.
Në nderim të Zymerit, kampi i policisë “Belvedere” në Mitrovicë, e mori emrin “Enver Zymeri”.
