Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka deklaruar se vendin e presin ende “disa orë të vështira” në përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarret pranë Madridit, edhe pse autoritetet kanë shënuar përparim në frenimin e flakëve.
Gjatë një vizite në zonat e prekura nga zjarret në Avila, Sánchez tha se ekipet e emergjencës po punojnë për të konsoliduar zonat ku zjarret janë vënë nën kontroll, ndërsa disa vatra mbeten ende aktive. “Po punojmë për të konsoliduar zona të caktuara ku duket se zjarret mund të jenë vënë në kontroll dhe shuar tashmë”, tha Sánchez.
Edhe drejtuesi i Njësisë Ushtarake të Emergjencave, nënkoloneli Alfonso Arribas, konfirmoi se është bërë përparim i konsiderueshëm përgjatë perimetrit të zjarrit, megjithëse puna vijon në disa pika të nxehta.
Sánchez paralajmëroi gjithashtu se sezoni i zjarreve po përkeqësohet, duke bërë të ditur se sipërfaqja e djegur në vend është rritur nga 130 mijë në 150 mijë hektarë brenda më pak se 24 orëve.
