Organizata Albanians For America (AFA) ka zhvilluar këtë javë një seri takimesh të rëndësishme në Capitol Hill, duke marrë pjesë për herë të parë si përfaqësuese e Shqipërisë brenda Central and East European Coalition (CEEC), kështu të paktën shkruan Doc Vranici, i cili flet në emër të AFA-së.
Ai thotë se koalicioni, i themeluar në vitin 1994, bashkon 18 organizata kombëtare që përfaqësojnë komunitetet amerikane me origjinë nga Evropa Qendrore dhe Lindore. Qëllimi i përbashkët, thotë ai, mbetet forcimi i partneritetit me Shtetet e Bashkuara dhe mbështetja për një rajon të lirë, të sigurt dhe demokratik.
Sipas tij, gjatë takimeve me anëtarë të Kongresit, AFA u bashkua me partnerët e koalicionit për të mbrojtur çështje kyçe: luftën kundër agresionit rus ndaj Ukrainës, situatën në Gjeorgji, sanksionet ndaj Rusisë, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, organizimin nga Shqipëria të Samitit të ardhshëm të NATO-s, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për sigurinë e vendeve baltike.
Pamje nga takimeve “Fija e përbashkët e të gjitha diskutimeve ishte nevoja për të kundërshtuar agresionin rus dhe ndikimin keqdashës kinez në rajon”, thotë Vranici.
Më tej, Doc Vranici shpjegon se, si pjesë e delegacionit të CEEC, AFA mori pjesë në briefing-un “Enhanced Resilience: A View from the NATO Centers of Excellence in the Baltic Countries”, me pjesëmarrjen e kongresmenëve Don Bacon dhe Salud Carbajal, si dhe zyrtarëve të lartë nga Lituania, Letonia dhe Estonia.
“Po ashtu, u zhvilluan takime me Kristine Berzina nga Komisioni Helsinki i SHBA-së dhe takime dypartiake me zyrat e senatorëve Chris Coons dhe Elissa Slotkin, si dhe me kongresmenët Keith Self, Zach Nunn dhe French Hill.” Në takimin me kongresmenin Zach Nunn, u diskutua rëndësia e aleancave amerikane.
Kongresmeni republikan Zach Nunn nga distrikti i 3-të i Iowa-s shkruan në një status të tij se ka pritur në zyrën e tij në Uashington një delegacion të organizatës Albanians For America. Në fund të takimit, ai theksoi rëndësinë e aleancave të Shteteve të Bashkuara në përballjen me kërcënimet ndërkombëtare.
Pamje nga takimeve “Aleancat e Amerikës janë një nga forcat tona më të mëdha dhe çdo komb që qëndron me ne ndihmon në ndërtimin e një koalicioni më të fortë për të kundërshtuar agresionin e Putinit”, deklaroi Nunn.
Ai e cilësoi takimin si “shumë të mirë” dhe tha se me përfaqësuesit e Albanians For America u diskutua forcimi i këtij koalicioni, si dhe hapat e ardhshëm për të ndërprerë linjat financiare të Rusisë. Nunn, ish-oficer i Forcave Ajrore amerikane me përvojë të gjatë në sigurinë kombëtare, është angazhuar prej kohësh me çështjet e Ballkanit Perëndimor.
“Takimi vjen në vijim të kontakteve të mëparshme me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe përforcon mbështetjen e tij për partnerët e besueshëm të SHBA-së në rajon”, ka theksuar Nunn. Pamje nga takimeve Gjatë takimit, i cili u zhvillua në atmosferë të hapur dhe profesionale, u bënë edhe foto zyrtare, të cilat kongresmeni Nunn i publikoi më pas në statusin e tij zyrtar.
Deklarata e kongresmenit Nunn lidh drejtpërdrejt partneritetin me shqiptarët me strategjinë amerikane të kundërveprimit ndaj agresionit rus. Përveç aktiviteteve në kuadër të koalicionit, AFA zhvilloi takime të veçanta me një anëtar të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në ndërtesën Eisenhower, ku u trajtuan angazhimi amerikan në Ballkan dhe çështjet që prekin shqiptarët e rajonit.
Me këtë rast, thotë Doc Vranici, ata takuan edhe ambasadorin e Kosovës, Ilir Dugolli, për të forcuar më tej marrëdhëniet SHBA–Kosovë. Gjatë qëndrimit në Uashington, AFA nënshkroi librin e kujtesës në nderim të senatorit Lindsey Graham. Doc Vranici, në emër të AFA-së, nënvizoi se organizata mbetet e përkushtuar që zëri i shqiptaro-amerikanëve të dëgjohet aty ku merren vendimet.
AFA falënderon partnerët, ligjvënësit dhe organizatat e tjera të CEEC-ut për bashkëpunimin dhe shpreh gatishmërinë për të vazhduar punën në mbrojtje të lirisë, sigurisë dhe partneritetit të fortë SHBA–Shqipëri dhe SHBA–Kosovë.
Për komunitetin shqiptaro-amerikan, takime të tilla janë një konfirmim i rëndësishëm se zëri i tyre dëgjohet dhe se aleanca me Shtetet e Bashkuara mbetet e fortë dhe e qëndrueshme.
Organizata Albanians For America pohon se vazhdon të jetë një zë aktiv i diasporës në Uashington dhe se ajo punon për të forcuar lidhjet strategjike mes Shteteve të Bashkuara, Shqipërisë dhe Kosovës, duke theksuar stabilitetin e Ballkanit dhe nevojën për të kufizuar ndikimet e jashtme destabilizuese.
