Policia e Divjakës ka goditur një tjetër rast të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, duke arrestuar pronarin e një lokali dhe një kamarier gjatë operacionit të koduar “Game Over”. Në pranga kanë rënë Altin Çoku, 52 vjeç, pronar i një lokali në fshatin Karavasta e Re, si dhe Edmir Çela, 35 vjeç, i punësuar si kamarier në të njëjtin ambient.
Sipas Policisë, gjatë kontrolleve u konstatua se lokali ishte përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit nëpërmjet kompjuterëve dhe telefonave celularë. Nga verifikimi i telefonit të 35-vjeçarit u gjetën faqe që dyshohet se përdoreshin për baste sportive. Hetimet zbuluan gjithashtu se Edmir Çela ishte i punësuar në mënyrë të paligjshme.
Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi pesë njësi kompjuterike, një pajisje DVR, një laptop dhe pesë telefona celularë, të cilët dyshohet se shërbenin për organizimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Game Over”, ushtruan kontrolle në lokale dhe ambiente të ndryshme që dyshoheshin se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit. Si rezultat i kontrolleve, u evidentua një rast i kësaj veprimtarie të paligjshme.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ç., 52 vjeç, pasi në lokalin në pronësi të tij, në fshatin Karavasta e Re, Divjakë, dyshohet se organizoheshin lojëra fati nëpërmjet kompjuterëve dhe aparateve celularë. Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi E. Ç., 35 vjeç, kamarier në këtë lokal.
Gjatë kontrollit të ushtruar në aparatin celular të tij u konstatuan faqe të ngjashme me ato të basteve sportive. Nga verifikimet e kryera rezultoi gjithashtu se shtetasi E. Ç. ishte i punësuar në mënyrë të paligjshme, pa qenë i regjistruar pranë organeve kompetente.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.”, njofton policia.
