Kush është Kristian Prenga? Shqiptari që për pak sa nuk e tronditi Anthony Joshuan! Deri këtë fundjavë, emri i Kristian Prengës ishte i njohur vetëm për një rreth të ngushtë të adhuruesve të boksit, ka nisur shkrimin media kroare “24 sata”. “Por pas përballjes me ish-kampionin e dyfishtë të botës, Anthony Joshua, në Arabinë Saudite, ai u bë i njohur për publikun e gjerë.
Boksieri shqiptar i peshave të rënda, i konsideruar si një kundërshtar i përshtatshëm për rikthimin e Joshuas, e rrëzoi britanikun dy herë në raundin e parë dhe ishte shumë pranë një prej befasive më të mëdha në historinë moderne të kategorisë së rëndë.
Edhe pse në fund u mposht me nokaut në raundin e dytë, paraqitja e tij tërhoqi vëmendje të madhe dhe ia rriti ndjeshëm reputacionin në botën e boksit” , ka shkruar media kroate. “Kristian Prenga ka lindur më në fshatin Orosh, në krahinën malore të Mirditës, në veri të Shqipërisë.
Ai u rrit në kushte modeste gjatë periudhës së tranzicionit pas komunizmit, ndërsa familja e tij merrej me punë të rënda fizike për të siguruar jetesën. Në intervista të ndryshme, Prenga e ka përshkruar fëmijërinë si të lumtur, pavarësisht vështirësive ekonomike, duke theksuar rëndësinë e familjes. Babai e përfshiu që herët në punë”, ka shkruar media kroate.
“Babai më mësoi të ngas kamionin kur isha tetë vjeç”, ka treguar Prenga, duke kujtuar se me të shkonte në mal, ngarkonte dru dhe ndihmonte në shitjen e tyre. Me këtë punë u mor deri në fund të adoleshencës. “Ndryshe nga shumica e boksierëve elitarë, Prenga nuk pati një rrugëtim klasik sportiv.
Ai iu bashkua sporteve luftarake vetëm në moshën 20-vjeçare dhe arsyeja kryesore ishte dëshira për të humbur kilogramët e tepërt. Trajneri në palestrën lokale e dalloi menjëherë forcën e tij natyrore dhe potencialin e madh. Fillimisht iu përkushtua kikboksit, duke u stërvitur në Shqipëri dhe Gjermani, ku u shpall dy herë kampion i Evropës.
Vetëm pesë vjet më vonë, në vitin 2016, vendosi t’i përkushtohej plotësisht boksit profesionist, pa zhvilluar asnjë meç amator, një rast mjaft i rrallë për boksierë të këtij niveli. Debutimin profesional e bëri në Munih, ku fitoi me nokaut në raundin e dytë”, shkruan më tej.
I specializuar për nokaut “Me gjatësi 196 centimetra dhe peshë rreth 118 kilogramë, Prenga u shqua si një goditës me fuqi të jashtëzakonshme. Para duelit me Joshuan, bilanci i tij profesional ishte 20 fitore dhe vetëm një humbje. Veçanërisht mbresëlënëse ishte se të gjitha 20 fitoret i kishte arritur me nokaut.
Humbjen e vetme e pësoi në fillim të karrierës, në vitin 2017, me vendim të gjyqtarëve ndaj holandezit Giovanni Auriemma. Pas asaj humbjeje, regjistroi 16 fitore radhazi me ndërprerje.
Karrierën e ndërtoi duke boksuar në Gjermani, Kanada, Kolumbi dhe vende të tjera, ndërsa vitet e fundit është vendosur në New Jersey të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku është bërë një figurë e njohur në komunitetin e madh shqiptar. Megjithatë, kritikët kanë theksuar se seria e fitoreve të tij me nokaut ishte arritur kryesisht ndaj kundërshtarëve me nivel më të ulët.
Emri më i njohur në listën e tij ishte amerikani Joey Dawejko. Pikërisht për këtë arsye, ekipi i Anthony Joshuas e konsideroi Prengën si kundërshtarin ideal për rikthimin e britanikut. Humbja ndaj Joshuas ishte vetëm e dyta në karrierën profesionale të boksierit shqiptar”, ka përfunduar media kroate.
