Një person ka humbur jetën dhe 12 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve të kryera nga Rusia gjatë natës në disa pjesë të Ukrainës, ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy. Sipas tij, tre persona janë plagosur nga një sulm me raketë balistike në kryeqytetin Kiev.
Ndërkohë, një person është vrarë dhe nëntë të tjerë, përfshirë dy fëmijë, kanë mbetur të plagosur pasi dronët goditën ndërtesa banimi në rajonin e Kharkivit. “Ngushëllimet e mia për familjet dhe të afërmit e tyre”, shkroi Zelenskyy në platformën X.
Ai bëri të ditur se ekipet e Shërbimit Shtetëror të Emergjencave po vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e një zjarri në një hipermarket të materialeve të ndërtimit në Kryvyi Rih. Sipas presidentit ukrainas, Rusia lëshoi gjatë natës tetë raketa dhe 136 dronë, një pjesë e madhe e të cilëve u interceptuan dhe u shkatërruan nga mbrojtja ajrore ukrainase.
Sulmet kishin në shënjestër Kievin, si dhe rajonet Kherson, Donetsk, Dnipropetrovsk, Kharkiv, Sumy, Odesa, Mykolaiv, Zaporizhzhia dhe Chernihiv. Zelenskyy tha se gjatë javës së fundit Rusia ka përdorur kundër Ukrainës afro 1 mijë e 700 dronë, më shumë se 1 mijë e 630 bomba të drejtuara dhe 95 raketa, mbi gjysma e të cilave ishin balistike.
Në anën tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se kishte goditur objekte të industrisë ushtarake në Kiev dhe infrastrukturën e portit të Chornomorskut në rajonin e Odesës, e cila, sipas Moskës, përdorej për furnizimin e forcave ukrainase. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
