“Rugovizëm ose fund” – mesazhi i fortë i Halil Gecit për LDK-në

0%

Veprimtari Halil Geci ka kritikuar gjendjen në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke thënë se partia ndodhet në një udhëkryq mes rikthimit te filozofia e Ibrahim Rugovës dhe humbjes së identitetit politik.

Në një postim në rrjetet sociale, Geci vlerëson se LDK-ja është larguar nga parimet rugoviane për shkak të interesave personale dhe etjes për pushtet, duke humbur mbështetjen e një pjese të elektoratit tradicional.

Ai gjithashtu kërkon reforma të thella brenda partisë dhe distancim nga, sipas tij, individët që kanë devijuar nga rruga e Rugovës, duke theksuar se besimi i qytetarëve mund të rikthehet vetëm përmes integritetit dhe respektimit të vlerave themelore të LDK-së.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Postim i Gecit: LDK NË UDHËKRYQ: OSE RIKTHIM TE RUGOVIZMI, OSE SHUARJE E IDENTITETIT POLITIK Tradhtia ndaj filozofisë së Rugovës, kapja e partisë nga interesa të ngushta dhe tolerimi i dhunës politike po e largojnë LDK-në nga misioni i saj historik dhe nga besimi i qytetarëve. LDK-ja lindi në Dardani si një mision kombëtar, e jo thjesht si një parti politike.

Ajo u ndërtua mbi filozofinë e Rugovizmit dhe vizionin shtetformues të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Ishte forca që mbështetej fuqishëm nga populli dardan dhe simbolizonte unitetin, dialogun, lirinë, pavarësinë dhe demokracinë. Me kalimin e viteve, shumë individë u larguan nga këto parime.

Për interesa personale dhe etje për pushtet, ata e dobësuan frymën rugoviane, shpërndanë anëtarësinë besnike dhe elektoratin tradicional të LDK-së, duke e çuar një pjesë të madhe të tyre drejt partive të tjera. Kjo ishte një goditje e rëndë për identitetin politik të LDK-së.

Respektimi i vlerave të Rugovizmit dhe i kuadrove që i kanë qëndruar besnikë kësaj filozofie është detyrim moral dhe politik. Vetëm duke u kthyer te këto parime, LDK-ja mund ta rimarrë rolin e saj si shtëpia politike e interesit kombëtar.

Po ashtu, LDK-ja nuk mund të pretendojë besimin e qytetarëve nëse nuk distancohet qartë nga çdo strukturë apo individ që lidhet me ndikime të dëmshme, me kulturën e imponimit apo me sjellje të papranueshme. Raste të dhunës ndaj qytetarëve, si ai që përmendet në opinionin publik për Zemajn, dëmtojnë rëndë imazhin e partisë dhe cenojnë vlerat që LDK-ja pretendon të përfaqësojë.

Nëse LDK-ja nuk ndërmerr reforma të thella dhe nuk largon ata që e kanë devijuar nga rruga e Rugovës, rrezikon të humbasë edhe më shumë mbështetjen qytetare. Besimi nuk fitohet me retorikë, por me integritet, përgjegjësi dhe kthim te parimet që e bënë LDK-në një lëvizje historike, e jo thjesht një parti politike.

Burimi: Bota Sot