I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, zhvilloi një vizitë të paparalajmëruar në Prishtinë, në një kohë kur Kosova dhe BE-ja vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme lidhur me rikthimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë në institucionet e drejtësisë. Gjatë vizitës, Sorensen u takua me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, por nuk u deklarua për mediat.
Pas takimit, Kurti përsëriti se çdo vendim për këtë çështje duhet të merret në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, duke theksuar se pavarësia e institucioneve dhe sundimi i ligjit mbeten parimet themelore në trajtimin e saj.
“Dorëheqjet kolektive të para katër viteve në veri të Ibrit kishin pikërisht si synim rrënimin e përbërjes shumetnike të sistemit tonë demokratik.
Tani, rruga përpara është ajo që e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, e cila në rastin e sistemit gjyqësor nënkupton ruajtjen e shumetnisë, por njëkohësisht edhe garantimin e pavarësisë dhe cilësisë së drejtësisë”, i tha Kurti Sorensenit, deklaratë kjo e lëshuar nga zyra tij.
Mehmeti: E çmoj shumë qëndrimin e zotit Kurti në këtë rast Analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim për “Bota sot”, vlerëson se kërkesa për rikthimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë është rezultat i presionit të Serbisë. Sipas tij, ata u larguan nga institucionet e Kosovës me ndikimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe nuk duhet të lejohen të kthehen.
Ai shton se ky duhet të jetë një mesazh për serbët e tjerë që t’u besojnë institucioneve të Kosovës, e jo Beogradit. “Natyrisht, zoti Sorensen ka ardhë pas presionit të Serbisë, kinse se prokurorët dhe gjyqtarët serbë po përndiqen etnikisht në Kosovë, kështu që ai thjesht ka ardhë për ta kryer rolin e tij dhe për me zbutë, si të them figurativisht, zemrën e Serbisë që këta nuk janë përndjekur.
Kështu që këtu janë lojërat e Serbisë, prokurorët dhe gjyqtarët dhe kushdo që ka dhënë dorëheqjq nga institucionet e Kosovës nuk duhet më me u leju me u kthy, sepse ata e kanë bërë një vepër të tillë si pasojë e ndikimit të Vuçiqit.
Pra, këta prokurorë e gjyqtarë kanë qenë vegla të Vuçiqit, janë urdhëru prej Vuçiqit për tu larguar, dhe natyrisht nuk duhet të ketë kthim pas, për njerëzit e Vuçiqit në institucionet e Kosovës.
Në këtë kuptim, është edhe një mesazh për serbët e tjerë që të rikthehen kah institucionet e Kosovës, ka Prishtina, dhe jo kah Beogradi, sepse kushdo që kthehet në Beogradi, kështu do ta ketë fundin”, tha ai.
Analisti Faton Mehmeti Mehmeti thekson se institucionet e Kosovës nuk duhet t’u nënshtrohen presioneve politike, vendore apo ndërkombëtare, dhe se refuzimi i rikthimit të gjyqtarëve e prokurorëve është vendimi i duhur. Ai shton se kjo do të dëshmonte pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe do të dërgonte një mesazh të qartë se Kosova vendos vetë për institucionet e saj.
“Prandaj, institucionet e Kosovës nuk duhet të bien pre e presioneve as vendore, as ndërkombëtare, por thjesht duhet të vazhdojnë me punën e tyre dhe çdo vendim tjetër përveç largimit, pranimit të dorëheqjes së tyre dhe respektivisht mospranimit të tërheqjes së dorëheqjes së tyre, është skandaloz.
Besoj që gjyqësori i Kosovës do ta marrë vendimin përfundimtar duke ju refuzuar pranimin e dorëheqjes këtyre gjykatësve dhe në këtë kuptim ju dërgoni një mesazh edhe serbëve tjerë. Pra, edhe zoti Sorensen duhet ta kuptoi, se pa marrë parasysh që Kosova është shteti pavarur dhe nuk duhet, nuk bie pre e presioneve ndërkombëtare.
Le ta imagjion vendin nga vjen zoti Sorensen me shku dikush edhe me u përzi në gjyqësor se kush duhet të jetë prokuror dhe kush duhet të jetë gjykatës. Kështu që e çmoj shumë qëndrimin e zotit Kurti në këtë rast” , përfundon ai.
Nimani: Çdo çështje që lidhet me kthimin e tyre duhet të trajtohet ekskluzivisht në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës Edhe analisti tjetër, Artan Nimani theksoi se vizita e Peter Sorensenit është pjesë e angazhimit të BE-së në dialogun Kosovë–Serbi dhe se zhvillimi i takimit pa ekspozim publik tregon ndjeshmërinë e çështjes.
Ai për “Bota sot” u shpreh se rikthimi i ish-zyrtarëve serbë duhet të trajtohet vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Analisti Artan Nimani “Vizita e Peter Sorensen duhet të kuptohet si pjesë e angazhimit të Bashkimit Evropian në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi dhe çështjeve që lidhen me sundimin e ligjit.
Fakti që takimi u zhvillua pa ekspozim publik tregon më shumë për ndjeshmërinë e temës sesa për ekzistimin e ndonjë marrëveshjeje të veçantë.
Duhet theksuar se prokurorët, gjyqtarët dhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje vullnetarisht nga institucionet e Republikës së Kosovës në vitin 2022, si rezultat i vendimeve politike të Serbisë dhe jo si pasojë e ndonjë vendimi diskriminues të institucioneve të Kosovës.
Për këtë arsye, çdo çështje që lidhet me kthimin e tyre duhet të trajtohet ekskluzivisht në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, duke respektuar procedurat ligjore dhe pavarësinë institucionale ”, tha ai për “Bota sot”.
Nimani shton se Kosova duhet të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë pa cenuar sovranitetin e saj, duke theksuar se integrimi në institucione duhet të bazohet vetëm në respektimin e ligjit dhe trajtimin e barabartë të qytetarëve. “Kosova duhet të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, por pa cenuar sovranitetin e saj kushtetues.
Integrimi në institucionet e Kosovës nuk mund të jetë rezultat i marrëveshjeve politike, por i respektimit të ligjit dhe trajtimit të barabartë të të gjithë qytetarëve. Ky duhet të jetë edhe parimi udhëheqës i çdo hapi që do të ndërmerret pas takimit Kurti–Sorensen” – përmbyll ai për gazetën.
Kujtojmë, se mijëra pjesëtarë të komunitetit serb në veri të Kosovës dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, Policinë e Kosovës, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022. Ky veprim erdhi si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave ilegale serbe me targa të Republikës së Kosovës.
