Organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, mbetet një prej projekteve më të mëdha sportive dhe shtetërore që ka marrë ndonjëherë Kosova. Megjithatë, vonesat në realizimin e infrastrukturës sportive dhe shqetësimet për dinamikën e punimeve kanë ngritur alarmin te drejtuesit e sportit.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, përdori një krahasim të fortë për të përshkruar pasojat që do të sillte një dështim në organizimin e Lojërave Mesdhetare, duke e cilësuar atë si një goditje të rëndë për shtetin dhe sportin e Kosovës.
Krasniqi: Dështimi në Lojëra Mesdhetare do të ishte si t’ia heqësh Kosovës gjysmën e pavarësisë “Nuk po di çfarë fjale me gjet te dështimi sepse është shumë i madh. Mund të them që sikur të ia heqim një gjysmë pavarësie Kosovës, dështimi është shumë i madh, shpresoj që të mos vije te dështimi sepse ky dështim nuk duhet as të ndodh.
Duhet të punojmë 24 orë që të mos vijmë te dështimi sepse nëse dështojmë në Lojërat Mesdhetare, atëherë dështojnë të gjitha sportet në Kosovë sepse nuk ka më besim për t’i dhënë Kosovës organizime të tjera.
Ndoshta e keni parë prej momentit kur i kemi marrë Lojërat Mesdhetare në Kosovë sa federata kanë përfituar me organizime, plotë, sepse tani e kanë parë që Kosova ka marrë Lojëra Mesdhetare, është punë shumë e madhe, shumë shtete nuk i kanë marrë kurrë, edhe shtete afër nesh këtu nuk kanë pasur kurrë Lojëra Mesdhetare”, theksoi Krasniqi.
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, tha se shqetësimi për ecurinë e përgatitjeve është i përbashkët për të gjithë komunitetin sportiv, por shprehu optimizëm se me angazhim institucional projekti mund të realizohet me sukses. Fetahu: Kjo është brengë e tërë komunitetit “Natyrisht, do të thotë, kjo është brengë e tërë komunitetit.
Nuk është vetëm brengë e neve që jemi brenda këtyre strukturave. I tërë komuniteti është i brengosur në këtë. Megjithatë, po sigurohemi pak nga ideja se shtetet e tjera kanë filluar pothuajse njëjtë vonë në përgatitje edhe kanë mbërritur me qenë të gatshëm për organizimin e këtyre lojërave.
Natyrisht organizimi i këtyre lojërave e lë një trashëgimi, për dekada e dekada, në kuptim të infrastrukturës sportive edhe të avancimit edhe të stafit, i cili trajnohet për të bërë organizime të tilla.
Kështu që, po shpresoj se do të shohim seriozitetin e situatës dhe që të gjitha entitetet do të bëhen bashkë për me shty këtë punë pak më në mënyrë të përshpejtuar përpara”, deklaroi Fetahu.
Ndërkaq, kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edi Kolgeci, vlerësoi se koha për të vepruar po mbaron, duke kërkuar mobilizim të menjëhershëm për të dëshmuar se Kosova është e gatshme ta organizojë këtë ngjarje madhore.
Kolgeci: Jemi në minutat e fundit, duhet të punojmë shumë “Me humb, nëse e humbim, atëherë është keq, pa marrë parasysh kush e fiton, por unë shpresoj edhe besoj që nuk do ta humbim dhe do të lëvizim sa më shpejtë.
Nuk është faji as te KOK-u e as te individët, mirëpo kjo punë ka mbetur pezull për arsye ku ta di, se nuk kam dëshirë të merrem me politikë por diçka nuk po funksionon nga lartë poshtë apo nga poshtë lartë, mirëpo jemi jo në javët apo vitet, por në minutat e fundit që t’i tregojmë Evropës dhe shteteve mediterane që puna ka filluar dhe iu mirëpresim në vitin 2030”, theksoi Kolgeci.
KOK-u, federatat sportive dhe institucionet shtetërore kanë theksuar vazhdimisht se suksesi i Lojërave Mesdhetare nuk është vetëm çështje organizimi, por një mundësi historike për zhvillimin e sportit, përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në muajt dhe vitet në vazhdim, bashkëpunimi mes të gjitha palëve shihet si vendimtar, pasi realizimi me sukses i këtij projekti do të përcaktojë jo vetëm mënyrën se si Kosova do të prezantohet para komunitetit sportiv ndërkombëtar, por edhe besimin që do të ketë bota sportive për t’i dhënë vendit organizime të tjera të mëdha.
