Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se gjashtë shoferë janë ndëshkuar për kundërvajtje të rënda në trafik gjatë kontrolleve të shtuara të realizuara në orët e hershme të mëngjesit të 26 korrikut. Sipas njoftimit të policisë, katër shoferë janë ndaluar në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, pasi kanë drejtuar automjetet nën ndikimin e alkoolit.
Njëri prej tyre, V.B., 25 vjeç, i cili drejtonte një veturë “Audi”, ka rezultuar me 1.11 promila alkool në gjak. Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 300 euro, dy pikë negative dhe masë e ndalimit të drejtimit të automjetit për gjashtë muaj. Ndërsa tre shoferët e tjerë, RR.N. (25 vjeç), O.T. (26 vjeç) dhe Ç.B. (25 vjeç), janë kapur me përkatësisht 1.00, 0.88 dhe 0.86 promila alkool.
Për ta janë shqiptuar gjoba nga 200 euro, dy pikë negative dhe heqje e patentëshoferit për tre muaj. Po ashtu, në rrugën magjistrale në fshatrat Bibaj dhe Koshare, policia ka ndëshkuar dy shoferë për tejkalim të shpejtësisë. K.K., 18 vjeç, është evidentuar duke drejtuar një veturë “VW Golf” me shpejtësi 102 km/h në një zonë ku kufizimi ishte 40 km/h.
Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 300 euro, tri pikë negative dhe heqje e patentëshoferit për tre muaj. Ndërkaq, E.M., 26 vjeç, është kapur duke vozitur me 80 km/h në një zonë ku shpejtësia e lejuar ishte 50 km/h. Ai është ndëshkuar me gjobë prej 200 euro, dy pikë negative dhe heqje të patentëshoferit për tre muaj.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet dhe aktivitetet e intensifikuara me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion dhe zbatimit të dispozitave ligjore. Qytetarët janë ftuar të raportojnë çdo shkelje apo rrezik në trafik përmes numrave emergjentë të Policisë ose aplikacionit “Lajmëro Policinë”.
