Shpërndaje në: Anthony Joshua u rrëzua dy herë, për herë të parë pas vetëm 20 sekondash, përpara se të rikuperohej dhe ta mposhte në mënyrë dramatike shqiptarin Kristian Prenga në raundin e dytë të meçit të zhvilluar në Jeddah të Arabisë Saudite, të shtunën mbrëma.
Boksieri britanik, Joshua, luftoi për herë të parë që kur i mbijetoi një aksidenti të rëndë me veturë në dhjetor, gjatë të cilit mbetën të vdekur dy shokët e mirë të tij, Sina Ghami dhe Latif ‘Latz” Ayodele. Joshua u trondit në mënyrë sensacionale nga një goditje e fortë me “aperkat” e Prengës, që ishte autsajder. U rrëzua, por vazhdoi.
Pësoi tjetër goditje në raundin e parë që sërish e dërgoi në dysheme, por nuk u ndal. Në atë pikë, shkruan BBC, dukej që Joshua ishte në prag të një prej humbjeve më tronditëse në histori të kategorisë së rëndë. Por Joshua më pas ofroi një prej kthimeve më të mëdha të karrierës dhe tani lufta e shumëpritur me Tyson Furyn është në horizont.
Edhe Luftarake 1 o. më parë Prenga u kërkon falje tifozëve shqiptarë, premton kthim të furishëm Joshua lëshoi dorën e djathtë në raundin e dytë, me goditjen e fundit që e dërgoi Prengën në litarë e më pas në dysheme. Prenga nuk ia doli të ngritet dhe gjyqtari shpalli Joshuan fitues. “Është më shumë sesa fuqia e goditjes. Ishte shpirti, ishte Latz, ishte Sina, ishin familjet.
Më dhemb edhe të flas për këtë. Ishte e vështirë”, ka thënë 36-vjeçari Joshua, duke ua kushtuar kështu fitoren shokëve të ndjerë. Ai u kaplua nga emocionet dhe largoi mikrofonin, para se të shtonte: “Janë vëllezërit e mi, nuk dua të flas për këtë”. Kishte spekulime se Fury mund të shfaqej në Jeddah të Arabisë Saudite, pavarësisht se nguli këmbë se nuk do të merrte pjesë.
Por mjeshtri i lojërave mendore i qëndroi besnik fjalës së tij. Ai nuk u pa në mbrëmjen e boksit në Arabi, që u zhvillua 24 orë pas fitores së Furyt në Tajlandë ndaj Mariusz Wach. “Unë respektoj gjithçka që ai ka bërë dhe gjithçka që ai ka arritur. Por si person luftarak, ne jemi këtu tani.
Shpresoj që tifozët do të kenë kënaqësi të madhe”, ka thënë Joshua për mundësinë e realizimit të meçit të shumëpritur me Furyn. Kontratat në fakt janë nënshkruar, por vendi dhe data nuk janë caktuar. Ka mbi një dekadë që tifozët e shumtë të boksit e presin përballjen e dy britanikëve. Megjithatë, nata kaotike i përkiste Joshuas, që arriti fitore pas muajve më të vështirë në jetën e tij.
I rrëzuar, por jo i mposhtur Duke pasur parasysh rrethanat, kthimi nuk do të ishte kurrë i lehtë për Joshuan, shkruan BBC. Megjithatë pak kush ka mundur ta parashikojë dramën që u zhvillua brenda gjashtë minutash. Joshua mbante emrat e Ghamit dhe Ayoledes në gjoks, ndërsa eci drejt ringut së bashku me gjithë ekipin e tij, në një shfaqje të qetë uniteti.
Në dysheme ishin emrat e tyre, së bashku me fjalët “Rojtari i vëllait tim”. Rikthimi i Joshuas vështirë se mund të kishte nisur në mënyrë më të keqe. Vetëm 20 sekonda pasi nisi lufta, një goditje me të djathtën e Prengës e dërgoi Joshuan në dysheme dhe tronditi të gjithë në arenë.
Edhe Luftarake 1 muaj më parë Prenga thotë se do ta shokojë botën me fitore kundër Joshuas Joshua buzëqeshi ndërsa u ngrit në këmbë. Prenga, që ka 20 fitore me nokaut, ndjeu se ka një mundësi. Promotori Eddie Hearn dha udhëzime nga anash, ndërsa Oleksandr Usyk, në kampin e të cilit po ushtron Joshua, shikoi me shqetësim.
Një goditje tjetër, këtë herë me të majtën, e dërgoi sërish Joshuan në dysheme. Ai ishte ende i paqëndrueshëm në fillim të raundit të dytë dhe dukej se po mposhtej. Por Prenga, çuditërisht, filloi të tërhiqej prapa dhe e la boksierin britanik të çlirohej nga presioni. Joshua e shfrytëzoi këtë dhe duke përdorur përvojën, e ndoshta edhe emocionin, lëshoi goditjet shkatërruese.
Pasuan më shumë goditje dhe Prenga u rrëzua. Gjyqtari i dha fund më pas. Për Prengën është vetëm humbja e dytë në karrierë. Ishte testi i parë i Joshuas kundër një boksieri profesionist, që kur Daniel Dubois e mposhti në shtator 2024.
Ndeshja e vetme prej atëherë ishte kundër yllit të “YouTube”, Jake Paul, në dhjetor të vitit të kaluar, dhjetë ditë para aksidentit fatal, që Joshuan e la të lënduar. Joshua e kaloi testin “Prenga”, por jo në mënyrën që prisnin shumica. Nuk ishte kampioni shkatërrues që lëviz lirshëm, që dikur i rrëzonte pa telashe kundërsharët.
Meçi i shumëpritur Pasi mposhti 46-vjeçarin Wach në Tajlandë një natë më herët, pyetja nëse Fury do të shfaqej për të parë Joshuan ishte kryesorja e mbrëmjes. Sipas BBC, meçi mes dy britanikëve është caktuar për nëntor. Asnjëri prej tyre nuk është në kulm, por kërkesa për meç është e madhe. Vështirësitë e Joshuas mund të bëjnë që Fury të jetë favorit i qartë.
Tifozët britanikë shpresojnë që meçi të zhvillohet në vendin e dy boksierëve. Ka diskutime edhe për organizim të meçit në SHBA. Edhe Luftarake 2 d. më parë Prenga premton fitore me nokaut ndaj Joshuas “Ne e kemi nënshkruar kontratën. Gjithçka është bërë”, ka thënë promotori Hearn. “Por sonte nuk kishte të bënte me Tyson Furyn.
Kishte të bënte me forcën që Anthony Joshua ka treguar vetëm për të qenë këtu. Askush nuk e di se çka ka kaluar ai gjatë shtatë muajve të fundit. Kur ai u rrëzua në raundin e parë, mendova se do të kthehej shumë shpejt”, ka shtuar Hearn.
