“Nuk ka besë për Ramën”- Sot dita e 57-të e revoltës popullore

0%

Protesta e ditës së 56-të ditën e djeshme u mbyll rreth mesnatësh me një marshim historik, teksa qytetarët shqiptarë nuk dorëzohen dhe kërkojnë rrëzimin e qeverisë, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e sistemit politik. Tubimi u mbyll me grumbullimin e tyre para Komisariatit nr. 3 në Tiranë, për të kërkuar “lirimin e 2 shqipeve” të arrestuara para Parlamentit ditën e enjte.

“Nuk ka besë për të pabesin”, ishte kushtrimi i tyre, duke iu përgjigjur kryeministrit Rama për fjalimin e ditës së enjte. Protesta kundër qeverisë hyn sot në ditën e saj të 57-të dhe mijëra qytetarë pritet të mblidhen përsëri para Kryeministrisë. Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama.

Në protestat e mbajtura më herët, aktivistë dhe qytetarë reaguan ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste më 24 korrik, ku prezantoi platformën “Besa”, duke e cilësuar atë si një nismë për një marrëdhënie të re me qytetarët.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Nga podiumi i ngritur para Kryeministrisë, protestuesit deklaruan se nuk e pranojnë këtë mesazh, duke argumentuar se qeveria ka humbur besimin e qytetarëve. Gjatë fjalimeve, aktivistët akuzuan kryeministrin se po përpiqet të zbusë reagimin qytetar përmes iniciativave të reja, ndërsa theksuan se protesta nuk ka ndryshuar qëllimin e saj.

Sipas tyre, kërkesa mbetet e pandryshuar: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Protestuesit deklaruan gjithashtu se Rama duhet të ketë përballje me drejtësinë, ndërsa kërkojnë ngritjen e një qeverie tranzitore, e cila, sipas tyre, do të garantojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Në përfundim të tubimit, qytetarët zhvilluan marshimin e përnatshëm në rrugët e Tiranës, duke brohoritur slogane si “Rama ik”, “Dorëheqje”, “Ju erdhi fundi”, “Shqipëri e re”, “Revolucion”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Arrestoni Ramën”, “Arrestoni Ballukun” dhe “Shqipëria nuk dorëzohet”.

Edhe mbrëmjen e sotme, protestuesit pritet të rikthehen para Kryeministrisë, duke deklaruar se do të vijojnë tubimet deri në plotësimin e kërkesës së tyre kryesore për largimin e kryeministrit nga detyra.

Burimi: Bota Sot