“Shok” në Berlin*

0%

Nga: Bardh Rugova Shpërndaje në: Një kujtim nga Berlini dhe një deklaratë si pa të keq për spastrimin etnik të Kosovës – Çfarë do të thotë ‘shok’ në gjuhën shqipe? Kolegia serbe erdhi tup e tup e m’u ul si loçkë pranë në njërën nga sallat e Universitetit të Humboldtit në Berlin.

Në kuadër të një konference për divergjencat dhe konvergjencat në Ballkan, organizatori, Universiteti pra, kishte vendosur ta lëshonte filmin “Shok” e të nxiste një diskutim më pas që, në fund, doli të ishte njëfarë eksperimenti social i konvergjencës. – Shok do të thotë “drug”, por në këtë filmin që do ta shohim, mund ta ketë edhe kuptimin “šok, potres”. – Aha. A është film i mirë?

Sakaq, filmi po fillonte. Konferenca kishte pjesëmarrës/e nga vende të ndryshme të botës dhe, në mesin e tyre, 5-6 serbë e serbe, një maqedonas, një greke. Unë qeshë i vetmi nga Kosova. Serbet dhe serbët menjëherë m’u afruan që në ditën e parë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sa herë shkoj në ndonjë konferencë diku në Perëndim, ndonjë kolege serbe a koleg serb, sapo ta kuptojë se jam nga Kosova, do të afrohet për t’u shoqëruar. Si në barsoleta me stereotipa etnikë, gati kurrë nuk takohem me ndonjë nga Bosnja a Sllovenia. Kolegët dhe koleget nga Maqedonia janë disi shumë të shpërfillshëm dhe të përçmueshëm për nga natyra.

Koleget dhe kolegët nga Kroacia janë shpërfillës e përçmues e, rëndom, jo më të dijshëm e më të suksesshëm se të tjerët dhe, në fund, përfundojnë disi edhe ata të shpërfillur dhe të përçmuar.

Në këtë konferencë po analizoheshin diskurset në Ballkan dhe koleget dhe kolegët nga Serbia po dukeshin objektivë e objektive në analizat e tyre edhe për çështje të ndjeshme, si puna e nacionalizmit në Serbi. “Pasha nonën, tek janë pos shiptare”, mendova më vete. Edhe Kolumne 6 muaj më parë Tragjedia dhe triumfi i Joseph Rothit Ishte nëntor i vitit 2018.

Kishin kaluar tre vjet që nga publikimi i filmit “Shok”, por unë nuk e kisha parë ende. Nuk mund t’u bëj ballë filmave me luftën në Kosovë. Më kthejnë kujtime e përjetime që nuk dua t’i rijetoj. Mirëpo, tani nuk kisha si të ikja. Po përpiqesha ta shikoja me sa më shumë distancë mes filmit si krijim artistik dhe përvojave të mia personale. E di se përvojat më bëjnë të ngarkuar.

Nuk mund të presë askush nga brezi im që të jetë neutral e moskokëçarës ndaj gjithë asaj që ka ndodhur, sidomos në vitet nëntëdhjetë e, mbi të gjitha, gjatë luftës 1998-99. E di e pranoj ngarkesën time. Jam përpjekur që fëmijëve të mi të mos ua bart atë ngarkesë. Nuk u kam treguar shumë për atë periudhë. Nuk kam dashur të trashëgohet dhimbja.

E pata nxitur njëherë, në Ulqin, vajzën time të vogël, atëherë nja 4 vjeçe të blinte vizatime të një moshatarje të saj serbe që kishte dalë dhe po luante, duke shitur gjoja nga 10 centë vizatimet e saj. Vajza ime i bleu dy vizatime. Më tha: “Ajo, s’dinte shqip. Më fliste turqisht”.

Për vajzën time të vogël në atë kohë, serbisht, turqisht, gjermanisht, kinezisht ishin, thjesht, gjuhë që ajo nuk i dinte. Për mua ishte lajm i mirë. Ajo nuk po rritej duke e ditur një popull si armik, nuk po rritej me urrejtje dhe, mbi të gjitha, nuk po rritej me dhimbjen e prindërve të saj.

Filmi “Shok”, m’u duk një rrëfim i rëndomtë mbi pasojën e luftës: një mënyrë tjetër, alternative e të jetuarit. Fëmijët si të pafuqishëm dhe të çiltër kundrejt ushtarëve të rrysur dhe mëkatarë – një përballje që mund ta ketë vetëm një përfundim të mundshëm: përfundimin që ta jep lufta. Kisha edhe ndonjë dilemë të vocërr për zgjedhjet artistike.

Filmi kishte folur vetë mjaftueshëm dhe kur diskutimi filloi, vendosa të mos ndërhyja. – Ç’është ky provokim? Mendoni se dikush në Serbi do ta pranojë këtë film? – shpërtheu njëra nga pjesëmarrëset serbe, studiuese e letërsisë që në bisedat para filmit promovonte artin, dashurinë dhe bashkëjetesën mes njerëzve.

Përgjigjet po dilnin vetë, sado që nuk desha të flisja dhe ta lija filmin të fliste vetë për Kosovën. • Mendoni se nëse një film pranohet ose jo në Serbi është kriter për vlerën e një filmi? – fola. Po nisja diskutimin.

Pak a shumë ky është debati në vazhdim: – Unë kam qenë në Prishtinë dhe kam parë disa shfaqje të mira, ndryshe nga ky që është një film i dobët, tha kolegia ulur pranë meje që kishte parë disa projekte OJQ-sh që gjoja promovojnë bashkëjetesën. • Ky është film i nominuar për “Oscar”. Filmi i vetëm i nominuar nga rajoni në disa vjetët e fundit.

Nuk ka film ndërkombëtarisht më të suksesshëm se ky në Serbi, në Mal të Zi, në Greqi, në Maqedoni, në Bullgari a në Shqipëri. – Por është film bardhezi. E keqja dhe e mira. • Bardh e zi janë „Schindler’s list“, „Pianist“, „La Vita e Bela“. Kjo nuk i bën filma të këqij Fundja, jemi në një konferencë studimore këtu. Kjo nuk është një OJQ që të shikohet mesi mes dy palësh.

Në shkencë e lypim të vërtetën. E vërteta nuk është e thënë të jetë në mes. Ajo është aty ku është. Ndonjëherë është krejtësisht në njërën anë. E vërteta nuk është diskutim fjalamujtas që ta caktojmë një pikë si marrëveshje diku. – Shikoni… për mua… të na lëshohet neve nga Serbia ky film… ky është provokim. Para së gjithash, po flasim për një temë që ende nuk është mbyllur…

Edhe Kolumne 3 muaj më parë SHBA-ja nuk do të largohet nga NATO-ja, por kjo aleancë po dobësohet • Shkaku i asaj që dikush si puna jote mendon se kjo është një çështje e hapur, janë bërë krime ndaj njerëzve të pafajshëm në Kosovë.

Shkaku i asaj që njerëz si puna jote mendojnë se Kosova është një territor që ju përket, janë përdhunuar gra, janë djegur shtëpi, janë dëbuar njerëz nga shtëpitë, janë vrarë fëmijë. Nuk është e mbyllur, se ende po kërkohen varreza masive. Ju përqafoni idenë se shteti juaj duhet të zgjerohet në dëm të një popullate të tërë. Si po mendoni se mund të bëhet një zgjerim i tillë?

Me vrasje, përdhunime, djegie, shkatërrime. – Mua më pengoi një gjë: shkruan se mbështetet në ngjarje të vërtetë, tha një studiuese, më e reja ndër të gjithë – besoj nuk i kishte as tridhjetë. Do të kishte qenë fare fëmijë në kohën e luftës. • Zonjë, çfarë mendoni se ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës? Çarë mendoni se ndodh, kur kujtoni se keni një çështje të hapur në një territor tjetër?

Nuk u përgjigj. Kjo ishte çështja më e rëndësishme për mua atë ditë: çfarë mendojnë të rinjtë dhe të rejat në Serbi për atë që ka ndodhur në Kosovë? Në çfarë narrative po rriteshin? Kisha disa studentë e studente të miat në Berlin me shkëmbimin Erasmus. Dy prej tyre kishin prindërit të vrarë gjatë luftës. Njëri i kishte humbur prindërit dhe ishte gjetur me ta tek pas lufte.

Njëra kishte qenë fëmija i vetëm i shpëtuar në lagjen e saj në një ditë masakre. E kishim lënë me koleget serbe të dilnim pas konference të vizitonim disa nga muzeumet në Berlin, përfshirë atë të hebrenjve dhe të dilnim në njërin nga lokalet e mia të preferuara të Friedrichstrasse. Natyrisht, pas atij diskutimi, nuk doja as t’u flisja më. Më pyetën nëse isha inatosur dhe isha. Me sebep.

Tetë vjet pas atij diskutimi në Berlin, nuk më vinte e papritur deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviq që thoshte se do t’i kishte përzënë të gjithë shqiptarët e shqiptaret po të kishte qenë në vend të Milosheviqit më 1999.

Si studiues i diskurseve, e di se në shoqërinë njerëzore një narrativë e përsëritur do të mposhtë realitetin dhe do të krijojë ndjenja të fuqishme te personat paragjykues. Shto këtu edhe empatinë. Një narrativë që është lejuar të mbizotëronte në shoqërinë serbe, ka prishur mprehtësinë e mendjes në atë shoqëri.

Ngjashëm siç e formuloi edhe Veton Surroi këtë javë, mund ta shtrojmë pyetjen: Çfarë do të kishte ndodhur në botë, sikur narrativat naziste në Gjermani dhe ato fashiste në Itali të lejoheshin të përcilleshin si pa të keq edhe më pas, pas Luftës së Dytë Botërore, në emër të lirisë së shprehjes?

Shteti gjerman, ndryshe nga Serbia, ka kaluar në procesin e denazifikimit: narrativat naziste nuk u lejuan të përcilleshin “si pa të keq” në emër të lirisë së shprehjes, por u shpallën ato që ishin: projekte krimi. Serbia nuk e ka pasur Nurembergun e vet. Milosheviqi vdiq në Hagë pa aktgjykim dhe bashkë me të mbeti pa aktgjykim edhe ideologjia e tij.

Prandaj, hotara-hotara, një ministre serbe e lindur në Kosovë del serbes e thotë se do ta kishte pastruar etnikisht Kosovën, thuajse nuk po fliste për qenie njerëzore dhe në Beograd kjo nuk prodhon përndjekje juridike, as reagime të mëdha publike, as dorëheqje, por mbrojtje ouvert a covert. Deklarata më vete asnjëherë nuk ishte skandal.

Skandal është që kjo deklaratë nuk u bë skandal në Serbi. Sepse atje jetojnë në një realitet paralel: ende nuk e dinë se çfarë ka ndodhur në Kosovë. Ende nuk e dinë se çfarë ndodh, nëse ia synon territorin dikujt. Nuk e dinë se çfarë nënkupton të pastrosh etnikisht një territor.

Në narrativën e tyre, shqiptarët dhe shqiptaret janë të dehumanizuar dhe vrasja e tyre, dëbimi, përdhunimi dhe çdo mynxyrë tjetër është e arsyetuar. Ky është skandali i vërtetë. Dikush mund të thotë se po flas kështu se vetë jam pjesë e njërës palë. Nuk e di.

E di se me gjithë ato që i kam parë e përjetuar, unë kam reaguar publikisht sa herë që është cenuar e drejta e cilësdo etni në Kosovë. Mirëpo, ky edhe është dallimi kryesor mes shoqërive në Kosovë dhe në Serbi.

Edhe Kolumne 1 j. më parë Kosova, kampione e botës Me fjalë të tjera: Kriminelët në burg. [*] Kjo kolumne është variant i shkurtuar dhe i përshtatur me deklaratën e Snezhana Paunovićit për spastrimin etnik në Kosovë, i sythit “Shqiptarë e serbë” në librin “Gjuha e filmit”.

Burimi: Koha