Rita Ora është rikthyer në Vjenë pas 12 vjetësh me një koncert që u shndërrua në një nga ngjarjet më të veçanta të festivalit Donauinsel Open Air, duke elektrizuar mijëra adhurues me hitet, energjinë dhe emocionet e saj.
Ylli i muzikës pop me prejardhje nga Kosova performoi për rreth 70 minuta para një publiku të gjerë, duke dëshmuar edhe një herë pse konsiderohet një nga artistet më të suksesshme shqiptare në skenën ndërkombëtare. Gjatë koncertit, Rita interpretoi disa nga hitet e saj më të njohura, ndërsa komunikoi vazhdimisht me publikun. “Faleminderit që më ftuat këtu, Vjenë!
Një vend shumë, shumë i bukur! Nuk kam qenë për një kohë shumë të gjatë”, u shpreh ajo para adhuruesve. Një nga momentet më prekëse të mbrëmjes erdhi kur, pasi interpretoi një pjesë të shkurtër të këngës “Believe” të Cher, Rita ndau një mesazh personal për rrënjët e saj. “Ju e dini se unë vij nga një vend i dalë nga lufta.
Shpeshherë nuk është e lehtë të realizojmë ëndrrat tona, por duhet të besojmë te ato. Falë publikut dhe ju fansave, kjo ëndërr më është bërë realitet” , tha këngëtarja, duke u emocionuar dhe shpërthyer në lot teksa fliste për Kosovën. Në skenë, Rita u shoqërua nga tre vokalistë mbështetës, një baterist dhe një kitarist, ndërsa nuk pati nevojë për valltarë shoqërues.
Vetë prania dhe karizma e saj mjaftuan për ta shndërruar skenën e Donauinsel Open Air në një festë të madhe muzikore.
