Tensionet mes rebelëve Huthi dhe Arabisë Saudite kanë hyrë në një fazë të re, pasi grupi i mbështetur nga Irani ka intensifikuar sulmet me raketa ndaj objektivave saudite. Sipas CNN-it, Huthit paralajmëruan javën e kaluar se do të nisnin një fushatë sulmesh kundër anijeve saudite në Detin e Kuq, nëse nuk hiqet bllokada ndaj Jemenit.
Më pas, rebelët pretenduan se kishin goditur dy cisterna saudite. Arabia Saudite konfirmoi se të paktën njëra prej anijeve ishte goditur dhe u kundërpërgjigj me sulme ajrore ndaj portit të Hodeidahut, i cili kontrollohet nga Huthit.
Të shtunën në mëngjes, grupi lëshoi raketa balistike drejt dy provincave saudite, përfshirë Jizanin, qytet me rëndësi strategjike për eksportin e naftës dhe infrastrukturën energjetike të mbretërisë. Huthit kontrollojnë kryeqytetin Sanaa dhe pjesën më të madhe të bregdetit jemenas të Detit të Kuq që nga viti 2014.
Ata kanë vazhduar aktivitetin ushtarak pavarësisht ofensivës së udhëhequr nga Arabia Saudite, e nisur në vitin 2015. Të mbështetur nga Irani dhe grupet e tij aleate në rajon, Huthit kanë kryer sulme ndaj Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa nga viti 2023 kanë lëshuar raketa edhe drejt Izraelit, duke deklaruar se veprojnë në mbështetje të Hamasit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
