Në spitalin e qytetit të vogël, ku jeta dhe vdekja ndeshëshin ashpër me njëra-tjetrën, gjaku mungonte, ndërsa nënëmadhja, pas operacionit dhe heqjes së tëmthit, kishte nevojë të ngutshme për transfuzion. Ajo, gjysmëgjallë e gjysmë e vdekur, as nuk merrte frymë e qetë e as nuk jepte shenja qartë të jetës.
Te koka e saj ishin mbledhur shumë mjekë që konsultoheshin me njëri-tjetrin pas atij operacioni, i cili për ta ishte i suksesshëm, por që mund të dështonte gjithsesi, sepse mungonte plazma e gjakut. Shkaku i kësaj mungese, në atë spital të vogël, ishte se po atë ditë, pas një aksidenti automobilistik, ishte konsumuar shumë gjak.
Te dera e reanimacionit prisnin, me lot në sy, të tre: nusja e djalit, me djalin dhe vajzën e të birit të asaj gruaje që të gjithë e thërrisnin nënëmadhe. Kishin kaluar vetëm dy ditë që kur djali i vetëm i nënëmadhes ishte nisur në një mision shtetëror, në një nga vendet më të largëta të rruzullit.
E shoqja kishte vënë re dy pika loti duke i buluar ngadalë prej syve të tij, teksa ai hipte në makinë dhe nisej për në aeroport. Por tani ai ndodhej tej oqeaneve e deteve, tej maleve e fushave, ndërsa ajo gjendej e vetme, me dy fëmijët, në pritje të vdekjes së të ëmës së tij. Eh, sa ofshanë e thellë.
Vetëm një orë para se ta futnin nënën në sallën e operacionit, ajo kishte mundur të fliste me të shoqin, i cili, me zërin që i dridhej, i kishte thënë se pas pak minutash do të hynte në atë takim ndërkombëtar ku do të merrte pjesë.
Tashmë ajo nuk arrinte dot ta merrte më në telefon dhe priste që ai, nga minuti në minutë, t’i binte ziles së telefonit, por asgjë – edhe pse kishin kaluar afro pesë orë që kur ajo kishte dalë nga operacioni dhe mjekët po bënin gjithçka që ta shpëtonin.
Ai e futi dorën në xhep dhe nxori telefonin. – Zoti mos e bëftë të bjerë zilja derisa ndonjëri prej mjekëve të thotë diçka, – mërmëriti me vete. – Si? – pyeti i biri, që e kishte dëgjuar mirë atë mërmëritje.
Por ajo nuk pati kohë t’i përgjigjej, sepse nga dera e sallës së reanimacionit doli njëri prej bluzëbardhëve, i cili tha se gjithçka kishte shkuar mirë, por se tani gjithçka mund të ndryshonte, pasi mungonte gjaku. Nga spitali i kryeqytetit ishte nisur një makinë që do të sillte gjak, por deri sa ajo të mbërrinte, puna nuk priste. Kishte humbur shumë gjak dhe tani ndodhej në gjendje…
Dhe u largua drejt njërës prej dhomave përballë reanimacionit, gjithë nxitim. – Jo, – mërmëriti ajo dhe gati sa nuk iu përkulën gjunjët. Shpresëhumbur, u hodhi një vështrim të dy fëmijëve, si t’u kërkonte mendimin, por, kur pa fytyrat e tyre të trembura, nuk dinte më ç’të thoshte. Gjyshja e fëmijëve tashmë ndodhej në fill të vdekjes, ndërsa i ati i tyre ishte mijëra milje larg.
Kështu që mendja i vajti vetiu te ceremonia mortore e mundshme, ku ajo do të duhej të ishte njëkohësisht edhe burrë, edhe grua.
Sido që të ndodhte, ai nuk do të mund ta shihte më të ëmën, edhe sikur në atë çast t’i thoshin të nisej, sepse i duheshin jo pak, por dy ditë rrugë, meqë linjat nuk korrespondonin – e, veç kësaj, ai as nuk do të mund ta bënte një gjë të tillë, pasi nuk mund t’i linte gjërat përgjysmë.
Ishte e mbërthyer nga mendime të tilla, ndërkohë që ecte drejt fundit të koridorit të spitalit, kur një britmë e së bijës, veçse 13-vjeçare, e bëri të kthehej vrik, e trembur deri në palcë. Kur pa të bijën duke ulëritur dhe duke kapur për bluze mjekun, ajo mendoi menjëherë se ai ia kishte dhënë lajmin e vdekjes së gjyshes.
I biri, pak më tutje, qante pa thënë asnjë fjalë. – Jo, jo! – dëgjoi zërin e së bijës, që, mes vajit e lotëve, nuk e lëshonte bluzën e mjekut, i cili e shikonte ngultas atë fëmijë, pa ditur ç’të bënte.
Ajo i dha hapit dhe u gjend aty, por nuk po kuptonte asgjë: e bija ulërinte dhe nuk e lëshonte mjekun, i biri qante me zë, ndërsa mjeku, krejt i hutuar, shikonte herë njërin fëmijë, herë tjetrin. – Jo! – thirri fort e bija. – Ajo nuk do të vdesë, unë jam këtu dhe jam gati të bëj gjithçka; ajo do të jetojë derisa të vijë babi.
Asgjë s’e ndalte dot atë fëmijë, që as të trembëdhjetat nuk i kishte mbushur ende. – Unë dhuroj gjak! – kishte ulëritur ajo në një çast. – Unë kam të njëjtin gjak me të, ajo është nëna jonë, nëna e babit; ajo duhet të jetojë derisa të vijë babi. Ai e do shumë. – Fjalitë e saj dilnin shpesh të ndërprera, mes lotëve dhe vajit.
Shikimi i saj u ndal te fytyra e mjekut, ku dy pika loti kishin filluar të merrnin jetë dhe të rrokulliseshin ngadalë nëpër faqe. – Prit, – kishte dëgjuar zërin e të birit, që ishte vetëm dy vjet më i vogël se e motra. – Ti je e vogël. Por ajo kishte ulëritur me sa fuqi kishte: – Jo, jo, unë nuk jam e vogël! Si thua ti, të vdesë nënëmadhja dhe babi të mos e shohë më?
Unë do të jap gjak që Nënëmadhja të jetojë. Babi do ta gjejë të gjallë. Si do t’i vijë atij po ta gjejë atë të vdekur? Po të ishte babi këtu, do të kishte dhënë ai gjak; tani jemi ne këtu.
Po të ishe ti i sëmurë, Nënëmadhja do të kishte dhënë gjak që ti të shpëtoje. – Je e vogël, – kishte mërmëritur mjeku, me gjysmë zëri, pa mundur të vendoste. …Ajo vajzë e vogël, kurajoze dhe ambicioze, kur kishte parë njërin prej ministrave duke dhuruar gjak, e kishte pyetur të atin se ç’po ndodhte, e ai ia kishte shpjeguar aq sa kishte mundur, dhe fjalët e tij tashmë i buçisnin në vesh të bijës.
Ai i kishte thënë se jepet pak gjak, aq sa të shpëtohet një jetë, e jo aq sa të shkaktohet një vdekje. E bindur deri në qelizën e fundit, ajo e kishte kapur sërish për krahu mjekun, i cili nuk dinte si të vepronte. – Unë jap gjak për Nënëmadhen, që ajo të shpëtojë. Unë, unë jap gjak…
I trembur, dhe nën efektin e asaj skene që kishte parë, edhe i vëllai ishte afruar aty dhe e kishte kapur për krahu mjekun. – Edhe unë! – kishte ulëritur ai. Të dy fëmijët e mbanin mjekun për krahësh, qanin dhe donin të jepnin gjakun e tyre. Ajo, si e ngrirë në këmbë, shikonte atë skenë që nuk do t’i shqitej kurrë prej syve.
I thirri me emër vajzës, por ajo nuk bindej, as djali. – Babi do të vijë, e ka lënë Nënëmadhen me ne – dhe ta gjejë nën dhé? – Jo! – thirrën ata fort dhe nuk donin të dëgjonin asgjë tjetër; vendimi i tyre ishte i prerë. Ajo hoqi pallton e saj të zezë dhe e hodhi mbi ta, si t’i mbulonte. Vetëm atëherë ata u shkëputën prej krahut të mjekut.
Ajo nuk kishte thënë asnjë fjalë, por kishte marrë drejt sallës dhe, ndërsa dera po mbyllej, pa shallin e hollë, ngjyrë të kuqe, që një nga infermieret e mori nga dyshemeja, dhe u drejtua nga fëmijët e saj. Ndërkaq, të dy fëmijët, të ngjeshur pas njëri-tjetrit, qanin me të madhe dhe shikonin drejt asaj dere që po mbyllej. Tubacionet e dhurimit të gjakut thithnin, pa u ndalur, gjakun e saj.
Atje, në dhomën ngjitur, e vjehrra priste pikërisht atë gjak, që të mund të jetonte, që të mund ta mundte vdekjen. Mjeku e pyeste vazhdimisht nusen se si ndihej, ndërsa asaj, si prej ndonjë shpelle të largët, i vinte zilja e telefonit.
Ishte pa dyshim i shoqi, por ajo nuk thoshte asgjë dhe nuk kishte asnjë mundësi t’i përgjigjej. – S’ka gjë, – mendoi me vete – përgjigjja më e mirë ishte kjo. Zilja binte e binte, derisa në dhomë hynë të dy fëmijët. Vajza e mori telefonin, por s’arriti të thoshte asnjë fjalë, vetëm qante me të madhe.
Aty, në sallë, qante edhe ajo që kishte dhuruar gjak, edhe infermieret, që tashmë e kishin mbushur dhomën. I biri e mori telefonin dhe, ashtu i trishtuar, duke qarë, i foli të atit: – Po, babi, nëna është operuar. Tani është më mirë. – Po, po, është mirë, ne jemi këtu dhe do të kujdesemi derisa të vish ti. Të puthim fort, babi. – Ajo është mirë, do t’i japim përsëri gjak, po t’i duhet.
Këto fjalë i ishin dukur pa kuptim të atit, të cilit i kishte mbaruar karta e telefonit, dhe kishte vrapuar në hollin e ndërtesës të merrte një kartë tjetër rimbushëse. “Do t’i japim përsëri gjak, po t’i duhet” – i buçisnin në vesh fjalët e të birit. – Gjithçka tashmë është normalizuar, – kishte thënë mjeku kokëthinjur, por e qara nuk e kishte lënë të thoshte gjë tjetër.
I kishte marrë të dy fëmijët për dore dhe, pasi i kishte çuar t’i shihnin Nënëmadhen, ishte drejtuar me ta te njëra prej kafeneve ngjitur me spitalin. Nuk arrinte të thoshte asnjë fjalë. – Doni t’ju jap, nga një akullore, xhaxhai? Tashmë nëna juaj është shumë mirë. – Jo, – kishte kundërshtuar vajza, duke qarë – ne duam të të falenderojmë që shpëtove Nënëmadhen.
Por lotët nuk e lanë t’i mbaronte fjalitë të plota. – Shkojmë, – kishte thënë i vëllai, – t’i japim ne një kafe doktorit që mundi ta shpëtonte Nënëmadhen. Kështu, ishin nisur drejt kafenesë, por nuk kishin mundur as të pinin, as të hanin gjë – veçse kamarieri nuk e dinte kujt t’ia merrte paratë: fëmijëve, apo atij burri kokëbardhë e sypërlotur. – Telefoni, – tha kamarieri.
I biri e hapi dhe i tha të atit se ishte me mjekun dhe po i jepte një kafe. Gjaku kishte mbërritur. Dhe e mbylli telefonin. Gjithçka për të ishte ende e paqartë, por gjithsesi kishte kuptuar mirë se e ëma ishte mirë pas operacionit. “Ndoshta ka munguar gjaku,” mendoi me vete, por nuk kishte më kohë – duhej të ngjitej në podium dhe të fliste në emër të shtetit të tij…
