Newcastle United ka intensifikuar përpjekjet për ta rikthyer Fikayo Tomorin në Premierligë, duke paraqitur ofertën e parë zyrtare te Milani. “Laraskat” synojnë të përforcojnë mbrojtjen pas një sezoni me probleme të shumta në repartin defensiv, ndërsa ish-mbrojtësi i Chelseat konsiderohet një nga objektivat kryesorë.
Klubi anglez ka bërë lëvizjen e parë konkrete për Tomorin, por oferta fillestare nuk i ka përmbushur pritshmëritë e Milanit. Sipas raportimeve nga Italia, Newcastle ka ofruar 15 milionë euro për reprezentuesin anglez, me synimin për ta mbyllur marrëveshjen sa më herët gjatë afatit kalimtar.
Megjithatë, drejtuesit e “Rossonerëve” nuk janë të gatshëm ta lejojnë largimin e tij për këtë shumë, pasi synojnë ta mbrojnë vlerën në treg të njërit prej mbrojtësve më me përvojë të skuadrës. Newcastle është i vendosur ta përforcojë ekipin e Eddie Howe pas një sezoni zhgënjyes, në të cilin mbeti jashtë garave evropiane.
Skuadra e mbylli Premierligën në vendin e 12-të, duke pësuar 55 gola, ndërsa dobësitë në mbrojtje u panë edhe në Ligën e Kampionëve, ku u eliminua me rezultat të përgjithshëm 8-3 nga Barcelona. Sipas “MilanNews24”, drejtuesit e Milanit po e shqyrtojnë ofertën e ardhur nga Anglia, edhe pse e konsiderojnë atë dukshëm më të ulët se vlerësimi që kanë për lojtarin.
Klubi italian nuk ka ndërmend ta shesë Tomorin me ulje çmimi dhe vazhdon të kërkojë 20 milionë euro, përfshirë bonuset. Kjo shumë konsiderohet si një vlerësim i drejtë për rëndësinë që mbrojtësi ka në skuadër dhe për pozicionin e tij në tregun evropian.
Tomori iu bashkua fillimisht Milanit në formë huazimi në janar të vitit 2021, përpara se transferimi të bëhej i përhershëm në verën e po atij viti, pasi klubi aktivizoi opsionin e blerjes prej 25 milionë funtesh nga Chelsea. Kontrata e tij aktuale me Milanin është e vlefshme deri në vitin 2027.
Dallimi mes ofertës së Newcastle dhe kërkesës së Milanit nuk konsiderohet i pakalueshëm dhe ekziston besimi se marrëveshja mund të arrihet nëse klubi anglez e rrit ofertën e tij. Aktualisht, diferenca është rreth 5 milionë euro – një shumë relativisht e vogël për një mbrojtës të nivelit të Tomorit.
Gjatë periudhës së tij te Milani, Tomori ndihmoi klubin të fitonte titullin e Serie A në sezonin 2021/22 dhe Superkupën e Italisë në sezonin 2024/25, ndërsa ishte gjithashtu një nga protagonistët e skuadrës që arriti në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve në sezonin 2022/23, për herë të parë që nga triumfi evropian i vitit 2007.
Sezonin e kaluar, Tomori zhvilloi 37 ndeshje në të gjitha garat me Milanin, duke regjistruar tre asistime, ndërsa skuadra e përfundoi Serie A në vendin e pestë dhe siguroi kualifikimin në Europa League. Në total, mbrojtësi anglez ka zhvilluar 214 ndeshje me fanellën e Milanit, duke shënuar shtatë gola dhe dhuruar gjashtë asistime.