Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kontribuuesit kyç në misionin e KFOR-it në Kosovë. Kështu u shpreh Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, në intervistë në Info Magazine në Klan Kosova. Ai u pyet se si do të ndikojë procesi i optimizimit në praninë amerikane në KFOR.
“ShBA mbetet kontribuues kyç në KFOR dhe janë plotësisht të përkushtuar të vazhdojnë kontributin e tyre për siguri të qëndrueshme në gjithë territorin e Kosovës dhe stabilitet në mbarë Ballkanin Perëndimor. Unë dhe i gjithë personeli i KFOR-it nën komandën time mbetemi plotësisht të përkushtuar në misionin tonë”.
Ulutash foli edhe për bashkëpunimin e ardhshëm të misionit që ai udhëheqë me Policinë e Kosovës dhe me FSK-në pas përfundimit të procesit të optimizimit. “Pikë së pari, KFOR-i veçse ka një koordinim të gjatë dhe të ngushtë dhe efektiv me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in si reagues të sigurisë.
Ky bashkëpunim është thelbësor për të vazhduar, siguruar dhe garantuar një mjedis që qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Sa i përket FSK-së, mbështetja jonë mbetet e fokusuar në mandatin e forcës që është origjinal për mbrojtje civile.
Kjo realizohet kryesisht përmes një strukture të veçantë dhe plotësuese të udhëhequr nga NATO që quhet Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s që është i bashkëvendosur në selinë e KFOR-it në kampin Film City”. “Ky bashkëpunim do të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë. Vetëm kohët e fundit, bashkë me EULEX-in, e kemi pasur një stërvitje të përbashkët të quajtur ‘Golden Sabre 2026’.
Kjo stërvitje na mundësoi të testojmë të gjitha kapacitetet për menaxhimin e krizave, aftësive dhe procedurave në një sërë skenarësh të sigurisë, përfshirë edhe ato që lidhen me trajtimin dhe asgjësimin e sigurt të mjeteve plasëse dhe mjeteve të rrezikshme”, u shpreh Komandanti i KFOR-it.
