Gruaja që u bë simbol i dëbimit, Sherfie Luta, ka rrëfyer në Kallxo Përnime rrugëtimin e mundimshëm të kalimit të kufirit si refugjate. Fotografia e saj derisa kishte vajzën foshnje në gji u bë simbol dhe mbuloi ballinat e mediave të shumta ndërkombëtare.
Sherife Luta bashkë me vajzën dhe burrin e saj kishin qenë në fshatin Ivajë të Kaçanikut, kur kishin filluar forcat serbe ta bombardonin fshatin. Luta thotë se mëngjesin e datës kishte ndodhur bombardimi i fshatit nga forcat serbe dhe me dhunë sipas saj, i larguan nga aty. Për të si nënë, kjo ishte situatë e rëndë dhe e vështirë, duke qenë të rrezikuar.
Ndërsa, kujton kur ranë në duart e paralimitarëve serbë. “Na kanë marrë ashtu nëpër kamiona na kanë çuar në Kaçanik te Shtëpia e kulturës edhe aty na kanë nda, burra veç, gratë veç edhe aty kemi qenë të rrezikuar. Po dashti Zoti me ndihmën e OSBE-së shpëtuam.”- thotë ajo. “Çika hiç s’qajke, ama çikës ju kish bë trupi katran i zi, prej së ftohti.
Edhe do [refugjatë] po thonjë që me marrë çikën me shti në shporet. E kanë shti në furrë shporetit 10 minuta çika a po qanë a s’po qanë e kanë shti në furrë, ia kanë mshel derën. Kur ja nisi me kajt kush ka qenë aty, krejt kanë rrehë shuplakë prej gëzimit se kjo i çeli sytë, shpëtoi.” – kujton Luta.
Luta thotë se me babain e saj e vajzën u nisën për në fshatin Bllacë, teksa burri i saj u plagos në këmbë. Në atë kohë, një fotograf i huaj kishte shkrepur fotografinë e saj që është e njohur në mbarë botën. Ajo tha se pas dy javësh kanë shkuar në Tetovë, ndërsa asaj nuk i pritej të kthehej në Kosovë.
“Kur më ka ardhur momenti që thanë me u nis për Kosovë, s’e di më gëzim s’di s’mundem ta përshkruaj. Kur kena ardhë në fshatin Ivajë, krejt janë kanë shtëpit e djegta.” – thotë Luta.
Rrëfimi i Dibran Istrefit Dibran Istrefi kishte qenë 9 vjeç kur ndodhën bombardimet e NATO-s në Kosovë në mars 1999, ndërsa ai dhe familja e tij u dëbuan nga shtëpia e tyre pasi qe djegur nga forcat serbe, në fshatin Rekë të Mitrovicës. Istrefi në “Kallxo Përnime” ka rrëfyer krejt çka pa gjatë asaj kohe që po lëviznin nga fshati në fshat për të mbijetuar.
Ai kujton natën e datës , kur shkuan në fshatin Zasellë te një familjar. “Nëna ime m’i patë qit do pambuka në vesh, m’i patë shti në vesh edhe tek atëherë e kam kuptu se çka është është t’u dasht me u bë edhe e pata kuptuar që kanë me nis ato bombardime. Ishte kohë lufte, ishte kohë e vështirë edhe kështu e kam marrë vesh, e kam kuptuar se çfarë po ndodh.
Pra bombardimet, koha e bombardimeve mua edhe familjen time më kanë zënë në fshatin Rekë, rrjedhimisht Zasellë.” – ka thënë Istrefi. Por, Istrefi thotë se vendosën të lëvizin nga ky fshat pasi situata ishte e tensionuar dhe shtëpia ishte mbushur me shumë njerëz.
Ai thotë se në këmbë u nisën për në vendlindje, Bajgorë Ai thotë se pronat e tyre në Bajgorë ishin shkatërruar dhe e vetmja çfarë kishte mbetur në lagje ishte shtëpia e të afërmit të tyre.
“Të gjitha shtëpiat e lagjes kanë qenë të gjitha të shkatërruara përveç asaj e cila ka qenë një pjesë e dëmtuar, e shkatërruar, mirëpo ka qenë të paktën në një dy dhoma të cilat kanë qenë me modifikim të jetueshme. Kjo ka qenë ajo historia para kohës së bombardimeve.”- tha Istrefi.
Sipas tij, ata qëndruan dy ditë në Bajgorë dhe pastaj shkuan në fshatin Bare, ku për një kohë u strehuan te Kulla e Mehmet Xhafës. “Dëgjoje krisma të armëve të rënda, krisma të minahedhësve.”- e kujton Istrefi kohën sa qëndruan në Bare. Istrefi thotë se përsëri shkuan në Bajgorë, ku e kanë përshtatur një shtëpi të vjetër, në të cilën kanë qëndruar deri në fund të prillit 1999.
“Ka qenë një ditë shumë e bukur me diell edhe ka qenë prill i ’99-ës edhe i numërojshim avionët e NATO-s që i pajshim në, u dokshin në qiellin e hapur edhe disi u ndjejke një farë ndjenje çlirimi, një farë relaksimi i asaj kohe se ka qenë shumë kohë e rëndë, kohë e luftës.”- përshkruan ai një nga momentet teksa po luante me fëmijët tjerë në një zonë të lagjes.
Sipas tij, në atë kohë pati një betejë në mes forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe atyre të serbëve, të cilëve ju shkaktuan shumë humbje. Kështu, ai kujton se më pas ndodhi masakra në Studime të Vushtrrisë, ku thotë se u vranë për dy-tre orë 167 civilë. Me të afërmin e tyre që ishin strehuar në Bajgorë, Istrefi thotë se shkuan në fshatin Kçiq.
“Ai e dinte zonën mirë edhe ishte krejt natë edhe na shti nëpër do le të themi shkurre krejt në anën tjetër edhe diku në ora 11 të natës mbërrimë në fshatin Kçiq na, tek vajza e e tij ku ishte e martuar. Atë natë kemi ndej aty. Minimalisht kemi qenë 30 [persona]. Është interesante pra sa bukëdhënës kanë qenë njerëzit në atë kohë.” – ka shtuar Istrefi.
Të nesërmen, Istrefi thotë se shkuan me autobus deri në Mitrovicë. “Ka pas shtëpi, të cilat dritaret ju kanë thyer prej detonimit që shkaktonte kur binin ato raketat e NATO-së, eksplozivi. Në shtëpinë ku ne jetonim domethënë ka pas të çara në mur.”- tregon ai. Pas sfidave tjera që përjetuan, Istrefi tha se shkuan në fshatin Zhabar.
“Si sot e kujtoj ka qenë pranë një garazhe një burrë të cilin e maltretonin tre serbë, kanë qenë civilë. S’kanë qenë të uniformuar, kanë qenë me ngjyra fytyrës, me shamia në kokë, të cilën e maltreton se sot më kujtohet ai s’mund kemi me përballu goditje të rënda që ja shkaktojshin. Edhe në një moment e kam parë me thikë i mshojke në fytyrë.
Kështu ka qenë e trishtë ajo skenë.”- tha Istrefi. Në afërsi të Lumit Ibër, Istrefi rrëfen se kishin parë paramilitarë serbë, të cilët sipas tij, kishin sopata, thika, armë, të mbuluar me shami, disa me maska. “Na grumbullojnë të gjithëve në një vend.
Krejt më vonë kur ja kam nisur me punu punën që bëj, kur jam interesuar shumë për për këto ngjarje, e kam kuptuar që ajo ka qenë një prej ditëve kur është planifikuar një prej masakrave që ndoshta e kish prekur edhe nivelin e [masakrës së] Srebrenicës.” – ka thënë ai.
Sipas Istrefit, në atë ditë ndodhën shumë krime e vrasje, por thotë se “kur kuptohet që nuk do të ndodhte ajo masakër është në një moment diku rreth orës 4 ka qenë, mund me të thënë ndoshta as 100 metra mbi hapësirë tokësore kanë ardhë aeroplanët e NATO-s.
Ajo ka qenë e frikshme kur kanë kaluar ata avionë.” Pastaj kur u liruan, Istrefi thotë se u arrestua babai i tij, i cili kishte qenë në arrati prej shumë vitesh. Ndërsa, ai dhe familja u kthyen në Tavnik. Si fëmijë kurioz, Istrefi kishte dalur në rrugë për të parë se çka kishte ndodhur, për të mos e ditur se do ta përjetonte momentin më shokues të jetës së tij.
Istrefi thotë se afër shtëpisë së një doktori në Mitrovicë, ka parë tre ose katër njerëz të cilët kanë qenë të vrarë, viktima. “Më vonë e kam kuptuar që ata janë gjet në tavanin, janë fsheh në tavanin e asaj shtëpisë së atij doktori… Edhe ka qenë skenë e frikshme. Unë asnjëherë s’kisha parë njerëz të vranë, s’kisha parë njerëz të masakruar…
Jam kthyer, më ka pyetur gjyshja ime sigurt për dy-tre orë çka ke. Asnjë fjalë s’ kam folë, jam shokuar. Ka qenë shok total.”- shprehet Istrefi. Istrefi punon gazetar që një kohë dhe përmend se nga viti 2012 ka përcjellur e raportuar për krimet në Kosovë, por “kurrë nuk jam shokuar më ashtu.
Kurrë s’kam parë diçka, as le të themi 1% të përafërt me atë.” “Kur Kosova është çliruar ma nuk e ke pasur atë, e ke pasur njëfarë çlirimi që ke flejtur rehat. Kur ke ra me flejtë, të ka marrë gjumi që thojmë kështu dhe nuk e ke pasur atë barrën çka po të ndodhë nesër ose a po çohesh nesër në mëngjes ose a s’po çohesh nesër në mëngjes.”- thekson ai.
