Ndihma ekonomike dhe juridike për policët të cilët janë viktima të sulmeve gjatë detyrës zyrtare do duhej të ishte e domosdoshme. Por përpos lëndimeve që i marrin në punë policët në gjykatë nuk kanë avokat të paguar nga buxheti i shtetit.
Në rajonin e Ferizajt gjejmë një rast ku polici Fisnik Haxha i cili është sulmuar fizikisht për shkak se ka shqiptuar një tiketë të trafikut duhet të paguaj avokat privat për t`u përfaqësuar në rastin penal ndaj katër personave të akuzuar për sulmin ndaj tij. Haxha është një polic i gjeneratave të reja në Shtime dhe ka shqiptuar tiketë ndaj anëtarëve të familjes Arifi nga ky qytet.
Ai kur kishte shqiptuar tiketën kishte marrë një paralajmërim ‘kush je ti me na dënu neve’. Të paktën kështu thuhet në aktakuzën e prokurorisë. Ky kërcënim ishte jetësuar pas disa ditësh. Haxha ishte rrahur publikisht nga pjesëtarët e familjes Arifi dhe një shok i tyre në një kafene të Shtimes.
“Sipas palës së dëmtuar në këtë rast zyrtarit policor, ai ka qenë i sulmuar për shkak të detyrës zyrtare që e ka zhvilluar në komunën e Shtimes, disa kundërvajtësve ju ka shqiptuar një tiketë, një dënim në kundërvajtje dhe pastaj ata ju kanë hakmarrë për shkak të atij veprimi të ligjshëm të zyrtarit policor në një lokal kur i njëjti ka hy me pi kafe aty dhe aty janë përdor shufra të metalit dhe mjete të ndryshme.
Prokuroria e Ferizajt nuk ka hetuar si duhet në këtë rast, sepse nuk i ka gjetur mjetet të cilat janë përdorur aty”- thekson Skender Musa, avokati i zyrtarit policor, duke shtuar se klienti i tij u sulmua nga 4 persona, e vetëm 3 nga ta dërgohen në paraburgim. ndërsa i katërti pa një sqarim të qartë lihet të mbrohet në liri.
“Në bazë të shkresave të lëndës e kemi kuptuar se njëri nga ta nuk ka qenë në mbajtje dhe nuk i është caktuar asnjë masë mirëpo varet edhe nga hetimet që i ka bë prokuroria që ne mendojnë që ka qenë lëshim edhe ky”- shton Musa.
Tre nga katër personat e arrestuar dërgohen në paraburgim, dhe pas një muaji me kërkesën e Prokurorisë dërgohen në arrest shtëpiak, ndaj të akuzuarit të 4, Genc Zeqiri nuk ka pasur kërkesë as për dërgim në mbajtje e as për arrestin shtëpiak.
KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria e Ferizajt lidhur me hetimet rreth këtij rasti dhe pse nuk ka pasur kërkesë për caktimin e masës edhe ndaj personit të 4. “Prokurori i Shtetit pas vlerësimit dhe analizimit të provave të siguruara në këtë çështje penale, ka vlerësuar se ndaj të dyshuarit me iniciale G.
Z., nuk janë përmbushur kushtet ligjore për parashtrimin e kërkesës për caktim të masës së paraburgimit. Në këtë rast, nga Prokurori i Shtetit, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe sa i përket pyetjes së fundit, ju njoftojmë se Prokuroria nuk ka ushtruar ankesë kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj lidhur me këtë çështje penale” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Ferizajt.
Pasi të dyshuarit për sulm ndaj zyrtarit policor dërgohen nga paraburgimi në arrestin shtëpiak, pretendohet se ata e kanë thyer arrestin shtëpiak. KALLXO.com ka siguruar disa shkresa ku Policia e stacionit të Shtimes i ka evidentuar se nga vizitat që u janë bërë të dyshuarve ata nuk janë hasur në vendbanimet e tyre.
Pasi thyerja e masës së arrestit i përket gjykatës ne e kemi pyetur Gjykatën e Ferizajt se çka kanë vepruar në këtë rast dhe kjo është përgjigja e tyre. “Më datë nga Stacioni Policor në Shtime kemi pranuar një Raport Policor për të pandehurit Q. A. dhe F.
A., për të cilën përgjatë verifikimit të bërë për personat që gjenden në arrest shtëpiak nuk kanë qenë prezent në shtëpi, me këtë rast të njëjtit kanë thyer masën e arrestit shtëpiak. Më datë në seancën dëgjimore gjyqtari i çështjes ka marrë Aktvendim me anë të së cilës të pandehurve Q. A. dhe F.
A., i mbetet në fuqi masa e arrestit shtëpiak, për të cilën palët janë njoftuar sërish se për çdo shkelje të masës së arrestit shtëpiak pa leje me shkrim të gjykatës, ndaj të njëjtëve do t`iu caktohet masa e paraburgimit” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Ferizajt.
Nga përgjigja e Gjykatëse së Ferizajt aty shihet se gjyqtari vetëm u ka tërhequr vërejtjen që një gjë e tillë mos të përsëritet më. Ndërsa, përgjigja e Gjykatës vazhdon tutje duke treguar se 3 të akuzuarit e parë Florent, Qëndrim dhe Lavdon Arifi e kanë pranuar fajësinë për veprat që u vihen në barrë dhe gjykata i ka dënuar vetëm me gjobë.
Ndërsa, i akuzuari i 4, Genc Zeqiri nuk e pranon fajësinë dhe ndaj tij veçohet proceduara për të dhe kjo çështje është ende duke u gjykuar në gjykatën e Ferizajt.
“Më datë Gjykata Themelore në Ferizaj ka pranuar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit nga Prokuroria Themelore Ferizaj për të pandehurit F.A., Q.A. dhe L.A., ndërsa për G.Z., nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë për caktimin e paraburgimit. Më datë Gjyqtarja e Procedurës paraprake, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar masën e paraburgimit.
Më datë Prokuroria Themelore në Ferizaj ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Ferizaj propozimin për ndërprerjen e masës së paraburgimit, për të cilën ka propozuar që kjo masë të zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak. Më Gjyqtari i çështjes ka shpallur aktgjykimin fajësues ndaj të pandehurve F.A., Q.A. dhe L.A. për të cilën janë shpallur fajtor dhe janë dënuar me dënim me gjobë.
Ndërsa sa i përket G.Z., lënda është ende aktive në Gjykatën Themelore Ferizaj pasi që për të është veçuar procedura”- vazhdon përgjigja e Gjykatës së Ferizajt. Pas këtij vendimi të gjykatës së Ferizajt, edhe gjykata e Apelit e vërteton dënimin me nga 2 mijë euro për 3 të akuzuarit e parë të këtij rasti.
Mbrojtja e zyrtarit policor pretendon se dënimi me të holla siç ka ndodhur në këtë rast nuk shërbejnë si masë mbrojtëse për zyrtarët policor.
“Dënimet e tilla nuk krijojnë efekt prapa veprues për kryerësit tjerë të mundshëm sepse me këto dënime që ka shqiptuar gjykata e Ferizajt mund të themi se secili qytetar i atij regjioni apo i Kosovës merr guximin me dal dhe me i sulmua policët dhe t`i paguajnë nga 2000 apo 3000 mijë, apo 500 euro gjobë.
Gjykata e Apelit në ketë rast ka vepruar sikurse të ishte noter, unë jam befasuar vetëm e ka vërtetu nuk ka analizua as një lloj ankese në mënyrë meritore”- potencon avokati Musa. Florent Arifi i cili nga dy shkallët e gjykatës është dënuar vetëm me gjobë për sulmin ndaj zyrtarit policor pretendon se nuk e ka sulmuar e kërcënuar zyrtarin policor lidhur me shënimin e tiketave të trafikut.
I shkurtër në koment ka qenë edhe i akuzuari tjetër Qëndrim Arifi, por ai shkurt na ka thanë se me kontaktu me avokatin e tij. Avokati i Lavdron Arifit, Dardan Hakiu thekson se ky rast ka kaluar me pranimin e fajësisë, dhe se nuk i kujtohet saktë çështja e thyerjes së arrestit shtëpiak se për kënd ka qenë.
Avokati Genc Zeqirit, Hajrush Nuhiu thotë se çështja e klientit të tij është duke u gjykuar dhe se ende gjykata nuk e ka thirrur për shqyrtim gjyqësor. Sindikalistët e policisë thonë se kur sulmohet zyrtari policor lidhur me punën policore atëherë sulmohet shteti por shteti me pas këtyre zyrtarëve nuk u ndihmon as në gjetjen e një avokati për kryerjen e procedurave gjyqësore.
“Fatkeqësisht policia e Kosovës nuk ka te angazhuar ndonjë avokat ose ndonjë ode të avokateve ose një kompani që i mbron policët për arsye të punës zyrtare edhe ne kemi bërë thirrje se nëse sulmohet polici gjatë detyrës zyrtare është sulmu shteti, është sulmu uniforma e shtetit të Kosovës” – thekson kryesindikalisti i policisë Avdi Hoti.
Për të sqaruar këtë çështje kemi kërkuar një përgjigje edhe nga avokatura shtetërore, se a kanë mundësi edhe bazë ligjore me i mbështet zyrtarët shtetëror në këto raste por ata kanë thanë se nuk e lejon ligji një gjë të tillë.
“Bazuar në Ligjin Nr. 08/L-227, AvokaturaShtetërore përfaqëson vetëm institucionet e administratës shtetërore në procedura gjyqësore, ndërmjetësim dhe arbitrazh, ndërsa nuk i përfaqëson zyrtarët shtetëror.
Ligji Nr. 08/L-227, nuk e parasheh mbështetjen apo përfaqësimin e zyrtarëve shtetërorë, por as nuk kemi pasur kërkesa nga zyrtarët shtetërorë”- thuhet ne përgjigjen e avokaturës shtetërore. Policët rrugor sfidohen nga probleme të shumta në përditshmërinë e tyre.
Mungesa e pajisjeve, kushtet jo të mira të punës dhe mungesa e mbrojtjes ligjore sidomos në rastet kur ata janë të sulmuar fizikisht vlerësohen si probleme serioze të sigurisë së tyre. Këto çështje të sigurisë sipas eksperteve duhet të adresohen shpejt për shkak se po rrezikojnë shëndetin dhe jetën e policisë. Tashmë ka disa viktima të cilët vuajnë pasojat.
