Nëse këtë verë jeni lodhur nga shapkat dhe sandalet me platformë, është koha për një ndryshim Pas disa sezonesh të dominuara nga sandalet minimaliste, Zendaya tregoi se në modë po rikthehet fuqishëm e kundërta e tyre – sandalet gladiatore.
Në një event në Nju Jork, Zendaya u shfaq me sandale gladiatore deri në gju të markës Sophia Webster, duke paralajmëruar rikthimin e një prej trendeve më të dallueshme të këpucëve nga fundi i viteve 2000 dhe fillimi i viteve 2010. Ndryshe nga shapkat minimaliste që dominojnë këtë sezon, sandalet gladiatore dallohen për rripat e shumtë që mbështjellin shputën, kyçin dhe pulpën.
Edhe pse kulmin e popullaritetit e arritën gjatë epokës boho të viteve 2010, rrënjët e tyre shkojnë shumë më larg në histori – modeli është frymëzuar nga mbathjet mbrojtëse që mbanin gladiatorët romakë, transmeton Telegrafi. Si t’i kombinoni sandalet gladiatore këtë verë?
Zendaya i dha këtij trendi nostalgjik një pamje moderne, duke i kombinuar sandalet gladiatore me një fustan të bardhë të Alberta Ferretti dhe vathë të gjatë të varur nga shtëpia Fope. Ky model sandalesh kombinohet shumë bukur me fustane të gjata dhe të lirshme, duke krijuar lehtësisht një stil veror me frymë boho.
Megjithatë, sandalet gladiatore nuk janë të rezervuara vetëm për fustanet maxi. Ato duken po aq bukur me minifustane, funde dhe pantallona të shkurtra, veçanërisht kur dëshironi të vini në pah këmbët e nxira nga dielli.
Për një pamje të veçantë, por të balancuar, pjesa tjetër e veshjes duhet të jetë sa më e thjeshtë dhe e përmbajtur, në mënyrë që sandalet të mbeten elementi kryesor i stilit. Nëse jeni lodhur nga modelet minimaliste që kanë dominuar skenën e modës gjatë viteve të fundit, sandalet gladiatore mund të jenë pikërisht freskia që prisnit këtë verë.
