Moti i keq ka përfshirë disa vende, duke shkaktuar përmbytje, dëme të mëdha materiale dhe ndërprerje të qarkullimit. Në Greqi, një stuhi e fuqishme goditi veçanërisht Athinën dhe Pireun, ku erërat e forta dhe breshëri rrëzuan pemë dhe shkaktuan shembjen e skelave të një kantieri ndërtimi. Për pasojë, disa rrugë u bllokuan, ndërsa reshjet e dendura shkaktuan përmbytje në disa akse rrugore.
Në Pire u ndërpre edhe qarkullimi i tramvajit, pasi u dëmtuan kabllot e energjisë elektrike. Deri në orët e mbrëmjes, shërbimi zjarrfikës kishte pranuar mbi 150 thirrje për ndihmë, kryesisht për pemë të rrëzuara, përmbytje dhe objekte që paraqisnin rrezik për qytetarët. Moti i keq goditi edhe Turqinë, ku reshjet e rrëmbyeshme përmbytën kryeqytetin Ankara.
Dhjetëra rrugë u mbuluan nga uji, ndërsa disa automjete u morën nga rrjedha ose mbetën të zhytura. Ekipet e emergjencës ndërhynë për të shpëtuar drejtuesit e automjeteve dhe banorët që kishin mbetur të bllokuar. Situatë e rëndë po mbretëron edhe në Azinë Jugore.
Në Indi, shirat e dendur të musonit kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje të dheut në disa shtete, duke detyruar mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre. Reshjet kanë dëmtuar gjithashtu rrugë dhe infrastrukturë tjetër, ndërsa autoritetet po vazhdojnë operacionet e evakuimit në zonat më të prekura. Edhe Pakistani po përballet me pasoja të rënda nga reshjet e musonit.
Përmbytjet kanë përfshirë zona të tëra, duke shkatërruar shtëpi dhe toka bujqësore, ndërsa ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet dhe evakuimin e banorëve. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
