Rebelët jemenas Huthi, që mbështeten nga Irani, pretenduan se kanë kryer një sulm raketor ndaj Arabisë Saudite më 25 korrik, disa orë pasi u zotuan se do të kundërpërgjigjeshin për sulmet ajrore saudite ndaj caqeve në Jemen një ditë më parë.
Media e rebelëve Huthi, Ansarollah tha se “një sulm jemenas ajror” shkaktoi zjarre në Jizan, në jug të Arabisë Saudite, teksa Riadi lëshoi dhe më pas tërhoqi paralajmërime për mbrojtje civile për qytetin Jizan dhe Janub, por nuk komentoi këtë pretendim të rebelëve.
Përshkallëzimi vjen pas sulmeve saudite më 24 korrik ndaj objekteve ushtarake të rebelëve Huthi në Hodeida, përfshirë sulme ndaj bazës detare Ras al-Kathib, një kampi ushtarak në ishullin Kamaran dhe një ndërtese të telekomunikimit afër një porti, thanë burimet jemenase të sigurisë. Mediat e lidhura me rebelët Huthi njoftuan se dy civilë u plagosën.
Riadi tha se ka goditur objektiva që përbënin kërcënim për lundrimin tregtar, pasi rebelët jemenas thanë se kanë vendosur një ndaj anijeve saudite dhe sulmuan mjete lundruese në Detin e Kuq. Më 20 korrik, rebelët Huthi paralajmëruan se do të sulmonin anijet “që i përkasin armikut saudit” nëse ato shpërfillnin bllokadën.
Më herët gjatë kësaj jave, ata pretenduan se kishin sulmuar dy anije saudite. Më 24 korrik, Arabia Saudite konfirmoi se një anije në Detin në pronësi saudite, NCC MASA, kishte pësuar dëmtime të lehta, por kishte vazhduar lundrimin.
Përshkallëzimi i fundit ka rritur shqetësimet për furnizimet me naftë, pasi Arabia Saudite po mbështetet gjithnjë e më shumë në rrugët e eksportit përmes Detit të Kuq, teksa lufta me Iranin ka penguar transportin detar në Ngushticën e Hormuzit.
Shkëmbimi i fundit i sulmeve rrit po ashtu mundësinë e rifillimit të luftimeve ndërkufitare mes Arabisë Saudite dhe rebelëve Huthi, duke rrezikuar armëpushimin de facto, që është respektuar në masë të madhe që nga skadimi, në tetor të vitit 2022. Armëpushimi, i ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara, është mes rebelëve Huthi dhe Qeverisë së Jemenit të njohur ndërkombëtarisht.
Arabia Saudite e ka mbështetur Qeverinë e Jemenit kundër rebelëve Huthi që kur udhëhoqi një ndërhyrje ushtarake në vitin 2015, megjithëse përplasjet ndërkufitare janë reduktuar në masë të madhe gjatë viteve të fundit. / REL
