Ferrari e ka nisur me dominim fundjavën e Hungarisë në Formula 1, duke komanduar të premten në provat e lira. Pas kohës më të mirë të Sharl Lëklerk në sesionin e parë, në të dytin ishte Luis Hamilton ai që vendos ritmin më të shpejtë. Piloti britanik e mbylli sesionin me kohën 1’18″729, ndërsa monegasku mbeti vetëm +0.148 sekonda pas tij.
I treti u rendit Lando Norris me MekLarenin, gjysmë sekonde larg, përpara Vershtapenit dhe Rasëllit. Në vështirësi u paraqit Kimi Antonell, i 13-ti dhe me shumë gabime gjatë xhirove të tij. Kështu, “kokëkuqja” e filloi me shkëlqim në Hungaroring. Makina e Maranelos regjistroi xhirot më të shpejta, duke realizuar një dopietë që jep shpresë për kualifikimet.
Pas dy makinave Ferrari u krijua një diferencë e dukshme, me Norrisin +0.499 sekonda, Vershtapenin (+0.692) dhe Rasëllin (+0.933). Shumë më prapa mbetet Andrea Kimi Antoneli. Mercedesi i tij nuk e ndihmoi në dy përpjekjet për xhiron më të shpejtë me gomat më të buta.
Lideri i kampionatit regjistroi kohën e trembëdhjetë më të mirë, madje me goma mesatare, duke mbetur dy sekonda pas Hamiltonit. Megjithatë, Antoneli mund të buzëqeshë sa i përket ritmit në garë, pasi me goma të buta, ai regjistroi ritmin më të mirë. Kohë të ngjashme kishte edhe Lëklerk, i cili pas disa kalimeve rriti ritmin e tij.
Hamilton, ndërkohë simuloi garën me goma mesatare, me një ritëm pak më të ngadaltë, ndoshta për shkak të ndryshimit të përbërjes së gomave. Trafiku i madh në pistë ndikoi në shumë tentativa të dy pilotëve të Ferrarit dhe të Vershtapenit, ndërsa Norris u shfaq jashtëzakonisht i qëndrueshëm dhe me kohë konkurruese.
Vlen të përmendet edhe një përmirësim i lehtë i Aston Martin, një makinë e transformuar tërësisht për këtë Çmim të Madh. Fernando Alonso arriti të largohet nga dy vendet e fundit dhe të hyjë në grupin e njëzet më të mirëve, duke u renditur në vendin e nëntëmbëdhjetë.
