Një kompani ruse ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale pasi organizoi një garë jashtëzakonisht të pazakontë, ku pjesëmarrësit duhej të pinin pije nga tasa tualeti për të fituar një çmim në para. Gara u zhvillua në qytetin Stavropol të Rusisë dhe u quajt “Game of Thrones”. Ajo u organizua nga një kompani që merret me pajisje sanitare.
Pjesëmarrësit duhej të pinin sa më shpejt një pije joalkoolike të gazuar, e vendosur në tualete të reja dhe e konsumuar përmes pipëzave. Fituesi i sfidës do të merrte një shpërblim prej 100 mijë rublash (mbi 1100 euro). Përveç garës së pirjes, pjesëmarrësit u përballën edhe me një tjetër sfidë: të qëndronin ulur mbi kapakët e mbyllur të tualeteve për sa më gjatë që të ishte e mundur.
Pamjet e publikuara në internet, ku disa persona shihen duke pirë nga tualetet për të fituar para, shkaktuan reagime të forta. Shumë përdorues e kritikuan aktivitetin duke e cilësuar si poshtërues dhe të papërshtatshëm. Organizatorët, megjithatë, u mbrojtën duke thënë se aktiviteti ishte zhvilluar në kushte higjienike.
Sipas tyre, tualetet ishin të reja dhe pa përdorim, ndërsa pijet ishin vendosur në qese të pastra me pipëza për konsum. Kompania deklaroi se qëllimi i saj ishte të krijonte një aktivitet që do të tërhiqte vëmendjen e publikut, edhe nëse do të shkaktonte debate.
