Aeroporti i Prishtinës përgatitet për fluksin veror, priten miliona

0%

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka marrë të gjitha masat e nevojshme infrastrukturore dhe në aspektin e burimeve njerëzore për të përballuar fluksin e udhëtarëve gjatë sezonit veror.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara, e cila ka thënë se pritjet janë që edhe ky sezon të jetë i ngarkuar, pavarësisht rënies së numrit të udhëtarëve gjatë muajve paraprakë. Ajo ka deklaruar se muaji korrik ka nisur me një rritje të lehtë të numrit të udhëtarëve, ndërsa aeroporti është i përgatitur për çdo fluks.

“Jemi të përgatitur për të pritur çfarëdo fluksi të numrit të udhëtarëve. Vitin e kaluar e kemi përmbyllur me 4.6 milionë udhëtarë. Tre muajt e parë kemi pasur rritje, ndërsa tre muajt paraprakë kemi pasur rënie. Megjithatë, korriku ka filluar me një rritje të vogël dhe besojmë se edhe ky sezon do të jetë i ngarkuar”, ka thënë Gara për Ekonomia Online, përcjell Sinjali.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas saj, në uljen e numrit të udhëtarëve gjatë muajve të kaluar ka ndikuar kriza në Evropë, e shkaktuar si pasojë e luftës SHBA-Iran. Duke folur për çmimet e biletave, Gara ka sqaruar se ato përcaktohen nga kompanitë ajrore dhe ndikohen nga kërkesa e tregut, destinacioni dhe koha e blerjes.

Ajo ka thënë se tarifat e aeroportit për udhëtarët janë të njëjta, pavarësisht çmimit të biletës, duke bërë të ditur se taksat arrijnë rreth 20.53 euro për udhëtar, duke përfshirë shërbimet e sigurisë, kontrollit të trafikut ajror dhe shërbimet tokësore.

Ndërkohë, Gara ka bërë të ditur se në Aeroportin e Prishtinës janë shtuar destinacione dhe linja të reja, ndërsa pritet zgjerim i mëtejshëm i rrjetit të fluturimeve. Ajo ka përmendur shtimin e linjave nga kompanitë GP Aviation dhe Wizz Air, si dhe hapjen e bazës së Wizz Air në Prishtinë, duke e cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme për aviacionin kosovar.

Sipas saj, në vazhdim priten edhe destinacione të reja dhe rritje të frekuencave në linjat ekzistuese. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com