Al-Hilali ka zyrtarizuar transferimin e anësorit holandez Crysencio Summerville nga West Ham United, duke e bërë atë afrimin e gjashtë të klubit gjatë afatit kalimtar veror. Në një njoftim në faqen zyrtare, klubi saudit konfirmoi se Summerville ka nënshkruar kontratë katërvjeçare, e vlefshme deri në vitin 2030.
Futbollisti holandez firmosi marrëveshjen të premten në kampin stërvitor të Al-Hilal në Austri, ku iu bashkua skuadrës në përgatitjet për sezonin e ri. Pronari i klubit, Princi Al-Waleed bin Talal, mbuloi personalisht të gjithë koston e transferimit, ndërsa Al-Hilal e falënderoi publikisht për financimin e marrëveshjes.
Klubi nuk e bëri publik shumën e transferimit, por raportimet e mëparshme e vlerësonin atë deri në 80 milionë euro. Nëse kjo shifër konfirmohet, Summerville do të bëhej futbollisti i dytë më i shtrenjtë në historinë e kampionatit saudit. 24-vjeçari tërhoqi vëmendjen me paraqitjet e tij në Kupën e Botës 2026.
Edhe pse nuk ishte titullar i padiskutueshëm në të gjitha ndeshjet e Holandës, ai kontribuoi me dy gola dhe dy asistime. Edhe forma e tij me West Hamin sezonin e kaluar ishte mbresëlënëse. Summerville zhvilloi 34 ndeshje, duke shënuar shtatë gola dhe duke dhënë pesë asistime.
Pozicioni i tij natyral është krahu i majtë i sulmit, por ai mund të luajë edhe në krahun e djathtë, ndërsa në raste të caktuara mund të aktivizohet edhe si sulmues qendror ose organizator loje.
