Në 27 biznese në rajonin e Mitrovicës janë evidentuar parregullsi që lidhen me shmangien e detyrimeve tatimore. Kjo është konstatuar gjatë një aksioni të përbashkët të Policisë së Kosovës, Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Inspektoratit Qendror të Punës (IQP) dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT).
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Administrata Tatimore e Kosovës, e cila bëri të ditur se gjatë kontrolleve janë evidentuar tetë raste të moslëshimit të kuponëve fiskalë, shtatë raste të mungesës së arkës fiskale, tetë biznese të paregjistruara, gjashtë raste me punëtorë të paregjistruar, si dhe katër raste të mosmbajtjes së librave dhe regjistrimeve.
“Gjatë aktiviteteve operative në Rajonin e Mitrovicës janë vizituar gjithsej 29 biznese. Nga këto, 27 biznese kanë rezultuar me një ose më shumë parregullësi, ndërsa dy biznese kanë qenë në përputhje me legjislacionin tatimor”- thuhet në përgjigjen e ATK-së për KALLXO.com.
Sipas ATK-së, për rastet e identifikuara janë iniciuar procedurat për rekomandim në Zyrën për Gjoba dhe Ndëshkime Administrative (ZGjONA). Ndërkaq, për bizneset e paregjistruara, inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) kanë lënë afatin ligjor prej tetë ditësh për regjistrim.
ATK bëri të ditur se, paralelisht, është duke u zhvilluar analizë e historikut të secilit biznes për gjashtë vitet e fundit, me qëllim identifikimin e shkeljeve të tjera të mundshme dhe ndërmarrjen e masave në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për aksionin ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se është iniciuar rasti “Shmangie nga tatimi”.
“Njësia policore, së bashku me ATK-në, IQP-në dhe IQMT-në, kanë kryer kontrollin e 34 auto-parkingjeve në Mitrovicën e Veriut, Mitrovicën e Jugut, Vushtrri dhe Skenderaj, ku janë identifikuar parregullësi të ndryshme”- thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
