35-vjeçari Refit Buzi ka humbur jetën pasi dyshohet se ka kryer vetëvrasje brenda automjetit, pas disa orësh negociatash me Policinë në fshatin Vidhisht të Roskovecit në Shqipëri.
Sipas Policisë së Shtetit, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të negociatorëve për ta bindur që të dorëzohej, 35-vjeçari nuk iu bind thirrjeve dhe rreth orës dyshohet se i dha fund jetës me armën e gjahut që mbante me vete. Ngjarja e rëndë nisi mëngjesin e së premtes, kur Buzi dyshohet se shkoi në banesën e ish-partneres së tij dhe hapi zjarr ndaj familjarëve të saj.
Nga të shtënat mbeti i vrarë Kosta Plaka, ish-vjehrri i autorit, ndërsa bashkëshortja e tij, Belere Plaka, u plagos, raporton Euronews.al, transmeton Sinjali. Pas sulmit, 35-vjeçari mori me forcë ish-partneren e tij, por ajo u lirua më pas gjatë ndërhyrjes së Policisë dhe ekipit negociator të RENEA-s.
Pas lirimit të saj, forcat policore vazhduan negociatat me autorin për disa orë, me qëllim që ta bindnin të dorëzohej, por operacioni përfundoi me vdekjen e tij. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj ngjarjeje të rëndë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
