Policia e Kosovës njofton se Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës është organi i vetëm kompetent brenda Policisë së Kosovës për pranimin, verifikimin, hetimin penal dhe procedimin e të gjitha informacioneve, kallëzimeve dhe rasteve penale që ndërlidhen me krimet e luftës të kryera gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Në kuadër të mandatit të saj, thuhet në njoftimin e Policisë, drejtoria trajton të gjitha informacionet relevante, pavarësisht burimit të tyre, përfshirë informacionet e siguruara nga qytetarët, institucionet, organizatat, partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe, siç thuhet më tej në njoftim, ato të identifikuara nga burime të hapura dhe publike, duke vepruar në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Referuar publikimeve në media për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës adresë zyrtare dhe kompetente për paraqitjen e çdo informacioni, prove apo të dhëne që ndërlidhet me krimet e luftës mbetet Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës- Departamenti për Krime të Luftës”- thuhet në njoftim.
Policia dhe Prokuroria Speciale inkurajojnë të gjithë qytetarët, dëshmitarët, viktimat, familjarët e tyre, si dhe çdo subjekt tjetër që posedon informacione me rëndësi për hetimin e krimeve të luftës, që t’i adresojnë ato në këto institucione, duke garantuar integritet të hetimit, trajtim profesional, konfidencial dhe në përputhje me standardet ligjore.
Policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Prokuroria Speciale, thuhet më tej në njoftim, mbeten të përkushtuara dhe të hapura për bashkëpunim me qytetarët dhe të gjitha institucionet, me qëllim zbardhjen e krimeve të luftës dhe vendosjen e drejtësisë.
Ky reagim i Policisë vjen pas publikimit të emrit dhe fotografive të një personi për të cilin në rrjetet sociale është thënë se ka marrë pjesë në masakrën e kryer nga forcat serbe në Krushë në vitin 1999.
