Situata brenda LDK-së ka marrë një kthesë të re pas nismës për mbajtjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm, ku një numër i delegatëve kanë mbledhur nënshkrime për të kërkuar rishikimin e udhëheqjes së partisë. Aktualisht, procesi i verifikimit të këtyre nënshkrimeve është ende duke vazhduar, ndërsa Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së ende nuk është thirrur.
Analisti politik, Gani Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku ka vlerësuar se partia po kalon një periudhë të vështirë dhe se kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, nuk e ka më kontrollin e plotë mbi strukturat e partisë.
Sipas Mehmetit, rënia e LDK-së nuk është një proces i ri, por lidhet me një varg zhvillimesh dhe vendimesh të mëhershme të kësaj partie. “Për mbarëvajtjen brneda një grupi, një shoqërie, një partie apo edhe të një shteti, vartet nga vetë ai, çkado qoftë dhe kushdo qoftë.Lumir Abdixhiku erdhi në krye të LDK si një emër jo i njohur si aktivist i partisë.
Ai erdhi në një kohë, kur LDK në bazë të disa ngjarjeve e veprimeve të saj pati nisur të bie poshtë. Shkaqet e rënies së saj, janë të njohura dhe janë thënë disa here, për çka nuk e shohim të arsyeshme t’i themi më”, ka thënë ai.
Gani Mehmeti Gjithashtu, Mehmeti ka vlerësuar se ardhja e Abdixhikut në krye të partisë nuk ishte pritur njësoj nga të gjithë anëtarët e saj, duke theksuar se pakënaqësitë brenda LDK-së janë rritur me kalimin e kohës.
“Pra, duke mos qenë një veprimtar i njohur shumë në Lidhjen Demokratike të Kosovës,edhe me rastin e zgjedhjes së tij kryetar i saj, me gjasë, dikush nuk paska qenë i kënaqur me të. Kjo pakënaqësi, që të mos them kundërshti nga brenda LDK erdhi duke u rritur vazhdimisht, e këtë e ndihmoi rezultati jo i mirë në zgjedhje, tani e sa herë që mbahen ato, duke dalë e treta rregullisht.
Lumirit iu kërkua dorëheqja menjëherë pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025. Që atëherë shumë nga LDK ishin shfaqur të pakënaqur me të dhe me zgjedhjet. Ai nuk dha dorëheqje, priti të marrë një miratim nga partia, ku shumica nuk ia pranuan dorëheqjen. Ndoshta kjo ishte edhe për shkakun se nuk do donte askush ta marrë partinë mbi vete në këso gjendje.
Por, ai do duhej vetë ta lexonte vullnetin e LDK-istëve se a ishin të kënaqur me punën e tij apo jo, që të mbetet kryetar i saj apo të jepte dorëheqje. Lakmia e tij për të qenë kryetar i një partie me një fame e integritet të lartë dikur, dhe, dëshira për të qeverisur ai – nuk dha dorëheqje”, ka shtuar Mehmeti.
Gjithashtu, ai ka potencuar se kundërshtimet ndaj Abdixhikut janë shtuar edhe nga figura të njohura të LDK-së, të cilat kanë pasur ambicie për të drejtuar partinë. “Kundër mbetjes së Abdixhikut kryetar i LDK dolën figura e deputetë të njohur të LDK, sepse këta vetë kishin pasur ambicie të ishin në krye të LDK-së.
Kështu, sot kjo parti, më shumë se kurrë, është në rënie e sipër edhe më shumë. Mbështetës të këtyre figurave dhe kundërshtarë të Lumir Abdixhikut, deponuan rreth 150 nënshkrime për mbajtjen e Kuvendit të LDK, ku do të vendoset se do të mbetet tutje kryetar Abdixhiku, apo do të shkarkohet a dorëhiqet vetë. Me një fjalë, Abdixhiku nuk ka më pushtet në LDK.
Shpesh, mjafton të vërehet një kundërshtar apo i pakënaqur dhe ai do të tërheqë njerëz të tjerë deri sa bëhet një numër i mjaftueshëm për shkarkim. Shumë më mire do të ishte për Abdixhikun të jipte dorëheqje që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, sesa të priste deri sot.
Mirëpo, deri sa nuk dha dorëheqje pas zgjedhjeve të 28 dhjetirit, ai, duke dalë sërish me një rezultat shumë të pakënaqur në zgjedhjet e 6 qershorit, është dashur të jipte dorëheqje menjëherë, që të mos bëhej kaq shumë temë diskutimi kjë çështje”, ka theksuar ai. Në fund, ai ka paralajmëruar se përçarjet brenda LDK-së mund të ndikojnë edhe në funksionimin e institucioneve të Kosovës.
“Tani, kur Abdixhiku filloi diskutimin me Albin Kurtin për hyrjen në qeveri ose jo, këto 150 nënshkrime për mbajtjen e Kuvendit të LDK, natyrisht se ai duhej të pezullonte bisedimet me Kurtin, sepse është I padëgjueshëm tek disa deputetë të partisë.
Ky pezullim është i nevojshëm, sepse nuk e ka partinë në dorë, nuk janë të dëgjueshëm të gjithë deputetët e LDK ndaj tij, dhe ata nuk do e votojnë as hyrjen në qeveri me Kurtin e as do votojnë për zgjedhjen e kryetarit të Kosovës. E, me mosvotimin prej disa deputetëve të LDK, kryetari nuk do të mund të zgjedhet, prandaj vie pezullimi.
Ky veprim i deputetëve të LDK nuk është i mirë, me çka do të përballen me bllokadë formimi i institucioneve të Koasovës, që është bërë tepër shumë në kohë dhe po e çon vendin teposhtë edhe përbrenda edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare si dhe në përfitimet e mjeteve të caktuara nga BE”, ka përfunduar Mehemti për “Bota sot”.
