Një 39-vjeçar është arrestuar në Lezhë pasi dyshohet se shiste në argjendarinë e tij bizhuteri floriri dhe ora dore të markave luksoze, të cilat dyshohet se ishin të vjedhura jashtë shtetit dhe të kontrabanduara në Shqipëri.
Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin e koduar “Final O’clock”, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas hetimeve të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare. Në pranga ka rënë shtetasi me iniciale A. M., 39 vjeç, banues në Lezhë.
Sipas policisë, ai siguronte dhe shiste në subjektin e tij sende me vlerë, për të cilat dyshohet se nuk kishte dokumentacion që provonte origjinën e tyre.
Gjatë kontrollit në argjendarinë e tij, uniformat blu sekuestruan si prova materiale, 133 ora dore të markave luksoze, pa dokumentacion shoqërues; bizhuteri floriri me peshë rreth 3.3 kilogramë, pa faturat përkatëse të blerjes; 270 500 lekë dhe 2 700 euro, që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari. Vlera totale e sendeve të sekuestruara llogaritet rreth 300 mijë euro.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar me 39-vjeçarin. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.
