Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se kthimi i ish-prokurorëve dhe ish-gjyqtarëve serbë të cilët dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në fund të vitit 2022, nuk mund të bëhet jashtë kornizës kushtetuese dhe ligjore. Kurti tha se braktisja e institucioneve nga pjesëtarët e komunitetit serb ishte një veprim i organizuar politikisht dhe një akt sabotues ndaj shtetit.
“Qysh atëherë e kemi thënë dhe u kemi bërë thirrje të gjithë serbëve në institucione “mos i braktisni ato, mos jepni dorëheqje, mos shkoni!’. Por nuk u kemi thënë, e as nuk kemi të drejtë t’u themi “kthehuni!’. Kishim të drejtë politike t’u themi mos shkoni, por nuk kemi të drejtë kushtetuese e ligjore t’u themi kthehuni”- tha Kurti para mbledhjes të Qeverisë.
Kurti tha se largimi i tyre ka qenë akt politik, ndonëse i organizuar, por kthimi i tyre është çështje ligjore dhe kushtetuese. Ai theksoi se rikthimi në institucione nuk mund të mbivendoset mbi Kushtetutën dhe ligjin. Kurti i bëri thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të veprojë sikur Këshilli Prokurorial.
“Nuk mund të ketë kthim që i mbivendoset kushtetutshmërisë e ligjit, veçmas kur braktisja ishte një akt sabotimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Në këtë linjë, gjithnjë sipas kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, këto dorëheqje i ka trajtuar kohë më parë Policia e Kosovës, dhe ditë më parë edhe Këshilli Prokurorial.
Ndërkaq sot, teksa prisnim që edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës të vepronte njësoj, kuptuam që mbledhja dështoi në mungesë kuorumi. Presim që në mbledhjen e radhës të marrë epilog të tillë edhe kjo çështje”- deklaroi Kurti, të premten, më .
Mbledhja e KGJK-së ku pritej të trajtohej kërkesa për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë, është ndërprerë pa u miratuar pikat e rendit të ditës, për shkak të përplasjeve verbale mes anëtarëve të këtij këshillit. Mbledhja u mbajt të premten, më . Gjyqtarët nga komuniteti serb kishin dhënë dorëheqje në nëntor 2022.
Më , në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, të ftuar nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal dhe nga gjyqësori.
Kryetari i atëhershëm i Listës Serbe, Goran Rakiq, në një tjetër takim të përfaqësuesve politikë dhe institucionalë të serbëve të mbajtur në Zveçan kishte njoftuar për bojkotimin e institucioneve të Kosovës, duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.
Rakiq kishte thënë se këto vendime do të jenë në fuqi “derisa Prishtina të fillonte të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë çështje në kuadër të Dialogut dhe në bazë të punës së Ekipit Menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit”.
Gjyqtarë, zyrtarë policorë e personel administrativ të cilët po mbanin pozita në institucionet e Kosovës në komunat në veri me shumicë serbe në atë kohë kanë ofruar dorëheqjet e tyre.
E gjitha erdhi pas suspendimit të Nenad Gjuriqit nga pozita e tij në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut, pas refuzimit dhe rezistencës për moslëshimin e fletë-qortimeve për shoferët që kanë automjete me targa të lëshuara nga Serbia.
