Kapitalizmi demokratik ka dështuar në të gjitha provat – jo vetëm të njerëzimit dhe drejtësisë, por edhe të efikasitetit dhe produktivitetit. Më kryesorja është se ka dështuar në garantimin e lirisë së njeriut, sepse ia komercializoi lirinë me norma ligjore pa gjykim. Njeriun, si qenie mendore, e trajtuan si objekt shfrytëzimi dhe me liri të kufizuar. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim administrimin nga ana e njeriut të lirë dhe zëvendësimin e shtetit kapitalist me një komunizëm demokratik. Shteti i komunizmit demokratik, megjithatë, nuk duhet të përsërisë gabimet historike dhe ta reduktojë vetëmenaxhimin e punëtorëve vetëm në menaxhimin e vendit të punës dhe negocimin me një aparat partiak burokratik, të alienuar dhe të privilegjuar. Shteti i komunizmit demokratik për të cilin ne mbështesim duhet të mbështetet në një ekonomi të planifikuar, të nacionalizuar, në pronësi të njerëzve dhe nën kontrollin demokratik të këshillave të punëtorëve. Nacionalizimi do të përfshijë të gjitha kompanitë me rëndësi kyçe për jetën ekonomike dhe zhvillimin e shoqërisë, si dhe të gjithë sektorin financiar. Nacionalizimi do të përfshihet edhe në urbanizimin e tokave industriale ku kanë qenë të ngritura kapacitete industriale, ndërsa tani ato toka janë tjetërsuar dhe janë shkatërruar gjigantët industrialë, prej të cilëve janë larguar punëtorët dhe janë shitur pajisjet teknike si mall i lirë. Do të bëhen hulumtime retroaktive për t’i zbuluar aktorët oligarkë dhe ata do të dënohen. Gjithashtu, objektet e ngritura në kundërshtim me doktrinën industriale do të konfiskohen, ndërsa pasardhësit pronarë po ashtu do të dënohen sipas ligjeve që do të hyjnë në fuqi nga shteti i komunizmit demokratik. Këshillat e punëtorëve nuk duhet të ndahen nga organet lokale. Përkundrazi, ideja e një shteti të njeriut të lirë, për të cilin ne mbështesim dhe luftojmë, nënkupton çmontimin e sistemit të shtetit borgjez dhe demokracisë ekzistuese, heqjen e institucionit të parlamentit, qeverisë dhe presidentit të shtetit, si dhe marrjen nën kontroll të të gjithë pushtetit shtetëror nga këshillat e njeriut të lirë dhe organet që këshillat e njeriut të lirë do të delegojnë. Roli kryesor i këtyre organeve të ekspertëve do të jetë përgatitja dhe zbatimi i planit kombëtar të zhvillimit, në të cilin do të dalin në pah zgjidhjet e propozuara dhe të votuara nga përfaqësuesit e deleguar në mënyrë demokratike nga degë të ndryshme të shoqërisë. Zhvillimi qendror i industrisë do t’u sjellë sigurinë e shumëpritur prodhuesve bujqësorë që janë të lidhur me industrinë dhe për të cilët industria do të mundësojë blerjen e vazhdueshme të lëndëve të para, me çmime që nuk do të përcaktohen në mënyrë të njëanshme, por do të dakordësohen përmes punës së përbashkët të përfaqësuesve të këshillave të njeriut të lirë dhe shoqatave të fermerëve. Gjithashtu, përgatitjet për mbjellje dhe plehrat nitratike do të ndahen falas, me qëllim eliminimin e konkurrencës nga tregu i jashtëm, në mënyrë që prodhimet vendore të mos dalin në treg me çmim më të lartë se prodhimet e importuara. Me këtë akt do të mbrohet arka shtetërore e njeriut të lirë. Për punësim të plotë dhe rishpërndarje të pasurisë në interes të njeriut të lirë! Pavarësisht zhvillimit teknologjik, qëllimi i të cilit duhet të jetë lehtësimi gradual i jetës së njeriut, njerëzit që punojnë sot punojnë në ndërrime çnjerëzisht të gjata dhe në kushte shumë të vështira pune, ku pothuajse çdo atom force nxirret prej tyre. Në të njëjtën kohë, gjithnjë e më shumë nga pasuria që ata prodhojnë shkon në xhepa privatë, duke zgjeruar hendekun klasor. Nuk është çudi që në kushte të tilla pasiguria sociale rritet dhe dhjetëra mijëra punëtorë të rinj largohen nga vendlindja dhe shkojnë në vende ekonomikisht më të sigurta. Papunësia nuk duhet të zvogëlohet përmes emigrimit të banorëve të aftë për punë; shteti do ta ketë detyrim ligjor punësimin për të gjithë. Nëpër të gjitha vendbanimet do të hapen kapacitete industriale, në përputhje me lëndët e para që disponon rajoni. Këto investime financiare do të ndikojnë që popullsia të mos e kërkojë vendin e punës në mërgim. Përveç punësimit për të gjithë, do të ndryshohet njëkohësisht edhe orari i punës, duke u kufizuar në shtatë (7) orë pune në ditë dhe pesë (5) ditë pune në javë për të gjithë. Në përpjesëtim me fuqinë punëtore të lirë dhe duke mundësuar daljen në pension vullnetar në moshën 60-vjeçare, ne jemi në favor të taksimit progresiv të të gjitha subjekteve ekonomike. Ne do t’i shlyejmë të gjitha borxhet ekzistuese të jashtme dhe do të ridrejtojmë fondet e destinuara për këtë qëllim drejt zhvillimit të prodhimit industrial dhe ndërtimit të infrastrukturës, në mënyrë që të varemi sa më pak nga kreditë e jashtme. Për emancipimin e grave dhe socializimin e punëve të shtëpisë! Në një sistem ku klasa punëtore i kushton një sasi të madhe kohe sigurimit të nevojave minimale të njeriut modern, puna shtesë në shtëpi bie kryesisht mbi gratë. Sot, gratë pritet të kryejnë punët e shtëpisë, pavarësisht se sa kërkues është vendi i tyre i punës dhe sa orë kalojnë atje. Përveç shfrytëzimit shtesë ekonomik, gratë punëtore, për shkak të pozitës së tyre të pasigurt ekonomike, janë të ekspozuara ndaj formave të ndryshme të diskriminimit. Në demokraci, gratë janë gjendur shumë shpesh viktima të formave të ndryshme të poshtërimit seksual, ndërhyrjes së pakufizuar në jetën e tyre intime dhe shpesh subjekt i sulmeve seksuale nga borgjezia, stafi drejtues, por edhe nga elementë të prapambetur dhe primitivë midis punëtorëve meshkuj. Ne mbështesim socializimin e punës shtëpiake duke ndërtuar kopshte të aksesueshme, qendra kujdesi ditor për fëmijë, mensa punëtorësh, lavanderi publike dhe qendra edukative e rekreative për fëmijë të të gjitha moshave, të cilat do t’i çlironin gratë dhe të gjithë familjen nga format e ndryshme të detyrave shtëpiake. Ne mbështesim të drejtën për leje menstruale të paguar, si dhe të drejtën për leje shtatzënie dhe lindjeje për një vit e gjysmë. E drejta e një gruaje për abort, pa pengesa shtesë administrative, është me rëndësi jetike për shëndetin publik. Kontrolli demokratik i vendeve të punës luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në emancipimin e grave. Duke marrë pjesë në këshillat e punëtorëve, gratë do të luftojnë për vendin e tyre në politikë, pa u poshtëruar nga kuotat gjinore dhe pa u mbështetur te financuesit manjatë. Arsim dhe shëndetësi falas e cilësore për të gjithë! Metodologjia e deritanishme e procesit edukativo-arsimor duhet domosdoshmërisht të ndryshohet, sepse nuk jep përgjigje të përshtatshme për sfidat e kohës së re. Po ashtu, do të debatohet publikisht edhe shkurtimi i vitit shkollor. Do të synohet gjithashtu që mësimi të zhvillohet në një turn, me arsyen që nxënësi ta përjetojë klasën si pronë të vetën, ndërsa shoqërinë si një të mirë të përbashkët. Arsimi, shëndetësia dhe familja janë shtyllat kryesore të një shteti të fuqishëm. Shteti do të obligohet që këto shtylla të zhvillohen me përkushtim. Kujdesi shëndetësor dhe farmaceutik duhet të jenë gjithashtu në pronësi të shtetit dhe nën kontrollin demokratik të punëtorëve të tyre, të lirë nga presioni i tregut dhe motivi i fitimit. Orientimi aktual i tregut në kujdesin shëndetësor dhe farmaceutik dëmton cilësinë e tyre dhe besimin e qytetarëve në mjekësinë standarde. Kjo valë mosbesimi është përhapur edhe nga sharlatanë e mashtrues të ndryshëm të rrezikshëm, të cilët përfitojnë shuma të mëdha parash nga njerëzit në situata të dëshpëruara shëndetësore për ilaçe të falsifikuara, të cilat në shumicën e rasteve janë të padobishme dhe, në rastin më të keq, vdekjeprurëse. Është e nevojshme të rivendoset besimi në mjekësinë standarde dhe farmacinë, gjë që është e mundur vetëm nëse të dy profesionet çlirohen nga motivi i fitimit. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim kujdesin shëndetësor të nacionalizuar dhe investimet në zhvillimin e industrisë farmaceutike vendase, nën kontrollin e këshillave të punëtorëve farmaceutikë dhe mjekësorë. Për luftën kundër krizës klimatike bazuar në një ekonomi të planifikuar! Duhet të bëhet kalimi sa më i shpejtë nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile në burime të rinovueshme për prodhimin e energjisë së pastër, me orientim shkencor drejt energjisë së fuzionit, duke siguruar kështu një mjedis jetese të shëndetshëm dhe të sigurt për brezat që do të na pasojnë. Prandaj, duhet të kryhet nacionalizimi dhe kontrolli i punëtorëve mbi minierat, gërmimet, transportin, termocentralet e naftës dhe gazit, si dhe mbi burimet e tjera të energjisë. Në realitet, shtetet e sotme stimulojnë motivin e fitimit të kompanive vendase dhe të huaja kur ngrenë centrale diellore, hidrocentrale të vogla dhe projekte të ngjashme, të cilat shpesh nuk interesohen për ndikimin e tyre në mjedis. Plani i prodhimit bujqësor duhet të socializohet. Gjigantët kimikë dhe monopolet e shpërndarjes në agronomi, të cilët duke luftuar për fitime më të larta rrezikojnë shëndetin publik dhe ushqyerjen, duhet të shtetëzohen.
