Roger Köppel, pronari i revistës djathtiste zvicerane “Weltwoche”, tashmë është bërë zëdhënës i autokratëve. Njëri nga të preferuarit e tij është presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Brenda tri viteve ai ka zhvilluar tri intervista me të. Së fundi, Roger Köppel, një imitues i gazetarit nga Zürichu, ka qëndruar në Moskë. Atje ka intervistuar disa propagandistë të Vlladimir Putinit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, i tha vizitorit nga Zvicra se lufta në Ukrainë s’do të marrë fund nëse europianët nuk ndërpresin përkrahjen për këtë vend. Köppel dëshironte të dëgjonte nga Peskov se së shpejti do të nisë një luftë botërore, kuptohet për shkak të europianëve.
Por Peskov është propagandist i larë e i shpëlarë me të gjitha ujërat, andaj e qetësoi mikrofonmbajtësin zviceran: Rusia, tha Peskov, është vend tepër i madh dhe tepër i përgjegjshëm për të shkaktuar një luftë botërore. Bashkëbiseduesja tjetër e Roger Köppel në Moskë ishte Margarita Simonjan, kryeredaktore e kanalit propagandistik televiziv rus RT.
Krejt bota normale e di që Simonjan është manipulatore në shërbim të regjimit të Putinit, ndërsa Köppel e prezantoi si “gazetare të vërtetë, jo propagandiste”. Nga haxhillëku pseudopublicistik në Moskë, Köppel solli edhe një intervistë me Vlladimir Sollovjovin, i cili është versioni rus i Vojisllav Sheshelit dhe në emisionet e tij kërcënon pandërprerë Perëndimin me zhdukje.
Pas Moskës, Köppel vizitoi këtë javë Beogradin dhe atje – “në një ambient të bukur veror” – intervistoi idhullin e tij, autokratin serb Aleksandar Vuçiq. Në këtë bisedë, Vuçiq paralajmëron një luftë në Europë, pra pak a shumë atë që thonë edhe propagandistët rusë.
Këto deklarata i shërbejnë Köppelit për të ndërtuar tezën e tij se lufta e madhe është para shpërthimit, edhe për shkak se europianët nuk po bisedojnë me Vlladimir Putinin. Në paralajmërimin e intervistës së zhvilluar në Beograd me presidentin serb, Köppel thotë se “shumë, shumë e vlerëson Vuçiqin si zë realist”. Köppel nuk njeh kufij në nonsensin e tij.
Kjo s’është hera e parë që ai e ka intervistuar liderin serb. Dy vite më parë, në qershor 2024, “Weltwoche” paralajmëroi një intervistë me Vuçiqin me këtë titull: “Të gjitha shenjat paralajmërojnë një luftë të madhe: Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për kohët e zymta të së tashmes”.
Që nga ky paralajmërim spektakular kanë kaluar dy vite, lufta botërore nuk ka shpërthyer, dhe Köppel ka vrapuar përsëri në Beograd për ta pyetur Vuçiqin se kur do të shpërthejë, më në fund, ajo luftë botërore.
Në dhjetor të vitit 2024, Köppel e ftoi Vuçiqin për një referat dhe bisedë në hotelin luksoz Dolder në Zürich, aty ku një espreso kushton 8 franga e 50 rapë. 500 mysafirë – mes tyre shumë përkrahës të Vuçiqit në diasporën serbe dhe politikanë të djathtë zviceranë – paguan nga 120 franga për ta përjetuar nga afërsia ish-ministrin e propagandës të Sllobodan Millosheviqit.
Si ultranacionalist, Vuçiq në vitet 1990 i ka shoqëruar besnikërisht krimet serbe të luftës me muzikë të çjerrë propagandistike. I pranishëm në karnavalin politik në hotelin Dolder ishte edhe Millorad Dodiku, lideri i serbëve të Bosnjës, i cili gjenocidin ndaj boshnjakëve në Srebrenicë e quan “mit të shpikur”.
Për Vuçiqin, Köppel formuloi këtë himn: “Këto ditë, për revistën Weltwoche, në qendër të vëmendjes ishte vizita e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Ky njeri më ka lënë përshtypje të fortë, të paktën që nga intervista jonë verën e kaluar. Ai i zgjedh fjalët me kujdes. Vuçiqi duket mendimtar. Flet qetë në një kohë kur të gjithë bërtasin.
Ndërsa të tjerët shtrëngojnë grushtet, ai e zgjat dorën për një përshëndetje miqësore. Është një njeri i paqes, më tepër intelektual sesa politikan; mund ta imagjinosh edhe si profesor në një fakultet juridik. Më pëlqen qetësia e tij e mbështetur në vetëdijen historike, skepticizmi i këtij politikani dhe ajo që unë e përjetoj si një realizëm të formuar nga përvoja e jetës”.
Kush arrin të frenojë të qeshurat disaminutëshe pas leximit të këtij ditirambi, vërtet është hero. Bisedën mes Vuçiqit dhe Köppel në hotelin Dolder, një gazetar i magazinës digjitale zvicerane “Republik” e pati përshkruar më shumë si një konferencë shtypi koreanoveriore sesa si një përballje mes gazetarit dhe politikanit.
Köppel ka qenë deputet në parlamentin zviceran i partisë djathtiste SVP, e cila me dekada ka stigmatizuar rregullisht komunitetin shqiptar. Krahas Vuçiqit, autokrati tjetër i preferuar i Roger Köppel me vite të tëra ka qenë Viktor Orbani i Hungarisë. Në korrik 2024, Köppel e shoqëroi Orbanin gjatë vizitës në Moskë.
Që kur hungarezët dhe hungarezet e përzunë nga pushteti Orbanin, Köppel ka mbetur pa një prodhues parullash kundër Evropës. Por përherë gjendet një zëvendësim – për shembull, Aleksandar Vuçiqi.
Dhe kur ky gjendet në pozicion të vështirë, si për shembull në mars 2025, kur qindra-mijëra serbë demonstruan kundër tij në Beograd, Köppel shkon në Beograd më shpejt se rrufeja për t’ia mbajtur mikrofonin Vuçiqit. Në këso rastesh, ai pa asnjë pyetje kritike mund të luajë rolin e burrështetasit të urtë e paqedashës dhe të mallkojë kritikët e tij të brendshëm.
Asnjë fjalë për faktin se që nga viti 2023 ka indikacione se Serbia, përmes vendeve të treta, po furnizon Ukrainën me armë. Një dokument i rrjedhur nga Pentagoni e përforcoi këtë dyshim. Sipas një raporti të së përditshmes britanike “Financial Times”, të botuar në vitin 2024, qeveria në Beograd i ka shitur Ukrainës municione me vlerë rreth 800 milionë euro.
Para një viti, shërbimi sekret rus akuzoi Serbinë se po përpiqej t’ia fuste një “thikë pas shpine” Rusisë duke i dërguar armë Ukrainës. Sipas palës ruse, qëllimi i këtyre dërgesave të armëve është vrasja dhe gjymtimi i ushtarëve dhe civilëve rusë.
“Duket se dëshira e prodhuesve serbë të armëve dhe e mbështetësve të tyre për t’u pasuruar me gjakun e popujve vëllezër sllavë i ka bërë të harrojnë plotësisht se kush janë miqtë e tyre të vërtetë dhe kush janë armiqtë e tyre”, deklaroi Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme i Rusisë (SVR).
