Arsenali përgatit ofertë të re për Bruno Guimaraesin

0%

Arsenali nuk heq dorë nga Bruno Guimaraes dhe është gati të intensifikojë përpjekjet për të siguruar shërbimet e mesfushorit brazilian të Newcastle United gjatë kësaj merkatoje. Sipas Flashscore, “Topçinjtë” po përgatisin një ofertë fillestare prej 70 milionë paundësh, edhe pse janë të vetëdijshëm se kjo shumë nuk pritet të bindë Newcastle.

Klubi londinez është i gatshëm të rikthehet me një propozim të përmirësuar nëse oferta e parë refuzohet. Raportohet se Guimaraes e sheh me sy të mirë transferimin në “Emirates” dhe se kushtet personale mes palëve janë arritur, ndërsa drejtuesit e Arsenalit janë të vendosur të mos humbasin një tjetër objektiv kryesor.

Ky vendim vjen pasi londinezët dështuan të transferonin Morgan Rogers, i cili iu bashkua Chelseat për 117 milionë paund. Arsenali e vlerësonte anglezin rreth 80 milionë paund, por oferta shumë më e lartë e rivalëve ua prishi planet. Pikërisht kjo përvojë i ka shtyrë drejtuesit e klubit të jenë më agresivë për Guimaraes.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Burimet bëjnë të ditur se Arsenali mund ta rrisë ofertën në mbi 80 milionë paund, duke përfshirë edhe bonuset, megjithëse kjo konsiderohet kufiri maksimal i vlerësimit të tyre për lojtarin. Nga ana tjetër, Newcastle nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga një prej yjeve të skuadrës.

Klubi anglez kërkon një shumë pranë 100 milionë paundëve dhe pritet të përdorë si pikë reference transferimin e Sandro Tonalit te Tottenhami, marrëveshje që arriti vlerën totale prej 100 milionë paundësh. Pavarësisht interesimit të Arsenalit, qëndrimi i Newcastle mbetet i pandryshuar.

Klubi vazhdon të insistojë se nuk ka ndërmend ta shesë Guimaraes gjatë kësaj vere, megjithëse një ofertë zyrtare nga londinezët pritet të mbërrijë shumë shpejt.

Burimi: Bota Sot