Kombëtarja U17 e Kosovës në volejboll po vazhdon garat në Kampionatin Ballkanik për Vajza, i cili po zhvillohet në Pallatin e Sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj. Pavarësisht rivalëve të fortë në këtë turne, në kampin e Kosovës mbizotëron optimizmi dhe dëshira për të dhënë maksimumin në çdo ndeshje.
Përzgjedhësi i Kombëtares U17, Yll Kadriu, duke folur për KosovaPress tregon se Kosova është përballë kombëtareve me nivel të lartë, por theksoi se ekipi është përgatitur sa ka pasur mundësi dhe synon paraqitje dinjitoze.
Kadriu: Nuk është e lehtë sepse kemi kombëtare që kanë nivel të lartë “Kemi skuadra ose kombëtare që janë shumë kualitative, siç është Turqia, Mali i Zi, Bullgaria gjithashtu. Po normalisht edhe Shqipërinë që kanë rritje të mirë domethënë të nivelit. Ndoshta Moldavia mundemi me thënë që është njëra nga skuadrat që nuk e kanë ndoshta nivelin shumë të kënaqshëm.
Mirëpo megjithatë, unë mendoj që përballë kemi kundërshtarë shumë të fuqishëm. Edhe ne si Kosovë jemi munduar të përgatitemi sa kemi pasur mundësi. E dimë që nuk është e lehtë sepse kemi thashë kombëtare që kanë një nivel shumë të lartë, kanë përgatitje shumë më të gjata, mirëpo megjithatë po shpresoj që ndeshje pas ndeshjes edhe Kosova do të bëjë paraqitje të mira”, deklaroi Kadriu.
Ai veçoi Turqinë si një nga kombëtaret më të forta në këtë grupmoshë, duke rikujtuar se është kampione bote në disa kategori të moshave, si dhe thekson se Mali i Zi ka bërë progres të madh, ndërsa volejbolli kosovar ka ende nevojë për më shumë grumbullime dhe punë të vazhdueshme.
Kadriu: Kemi nevojë për punë, për grumbullime sa më të shpeshta “Po, me thënë të drejtën ne e kemi ditur që kemi përballë kundërshtarë shumë të fortë. Turqia është në shumë kategori, është kampion bote.
Kështu që ne e kemi ditur që kemi përballë kundërshtarë të mirë, edhe pse me thënë të drejtën vajzat tona janë paraqitur maksimalisht mirë ndaj tyre, duke e parë edhe eksperiencën e tyre, edhe përgatitjet e gjata, edhe investimet e mëdhaja që bëhen.
Ndërsa edhe Mali i Zi është duke bërë paraqitje shumë të mira, investime shumë të gjata, ka lojtare po ashtu të larta me trup, kështu që ne e dimë që është e vështirë. Jemi munduar aq sa mundemi, por e kemi parë që kemi akoma nevojë për punë, akoma nevojë për grumbullime sa më të shpeshta që ndoshta të mund ta shpalosim atë kualitetin tonë maksimal”, u shpreh ai.
Kapitenia e Kosovës U17, Rona Emini, theksoi se përfaqësimi i vendit në një kampionat të tillë është një emocion i veçantë. Emini: Ndjenjë shumë e mirë me e përfaqësu vendin tënd. “Pjesëmarrjen në këtë kampionat po e përjetojmë shumë mirë. Është një ndjenjë shumë e mirë me e përfaqësu vendin tënd. Është një ndjenjë që nuk përshkruhet me shumë fjalë. Është ndjenjë shumë e mirë.
Edhe po mundohemi me e bë maksimumin nga ana jonë”, deklaroi Emini. Ajo pranoi se Kosova është përballur me kundërshtarë shumë cilësorë, por beson se ekipi do të vazhdojë të përmirësohet. Emini: Ndeshjet në vijim kemi me tregu rezultat më të mirë “Normalisht e kemi ditë prej fillimit që kemi kundërshtarë shumë të fortë.
Jemi mundu me aq ditë sa kemi pas mundësi me u përgatitë, por normalisht që niveli i Turqisë është shumë i madh. Kemi pas ndeshje me ta, por besoj që në ndeshjet në vijim kemi me tregu rezultat më të mirë”, tha kapitenia.
Edhe volejbollistja Medina Bajrami u shpreh e kënaqur me organizimin e kampionatit dhe kushtet e krijuara për ekipet pjesëmarrëse, ku sipas saj, ekipi duhet të vazhdojë të punojë për të rritur nivelin e lojës. Bajrami: Jemi mundu me u stërvit çdo ditë, me arritë më të mirën tonë “Po e përjetojmë tepër mirë. Kushtet janë tepër të mira.
Jemi tu mundu me u stërvit çdo ditë, për më të mirën tonë për me arritë. Ne duhet me pasë angazhim më shumë, disiplinë, edhe me bë pikë më të mira edhe më shumë për publikun”, përfundoi Bajrami.
Kampionati Ballkanik U17 për Vajza po zhvillohet në Ferizaj nën organizimin e Federatës së Volejbollit të Kosovës, me pjesëmarrjen e Kosovës, Turqisë, Bullgarisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Moldavisë.
