Anëtari i Partisë Guxo, Luan Gacaferi, ka shprehur mbështetje për presidenten në detyrë, Albulena Haxhiu, pas konferencës së saj për media, duke vlerësuar qëndrimet e saj për sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës.
Sipas tij, presidentja në detyrë ishte “më e qartë se asnjëherë më parë”, duke deklaruar se nuk do të pranonte “kurrë e për asnjë arsye të bëjë diçka për shtetin e vet që vendet mike të Kosovës nuk do ta pranonin asnjëherë në vendet e tyre respektive”.
Ai shtoi se presidentja në detyrë theksoi se Kosova është shtet me ligje që duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët, pa dallim gjuhe apo përkatësie. Postim i plotë: Respekt pa fund për zonjën presidente në detyrë, Albulena Haxhiu, e cila edhe njëherë e bëri të qartë se nuk njeh askënd tjetër përveç ligjit në fuqi dhe Kushtetutës së Kosovës!
Zonja presidente, sot në konferencën për media, ishte më e qartë se asnjëherë më parë, duke thënë se nuk pranon kurrë e për asnjë arsye të bëjë diçka për shtetin e vet që vendet mike të Kosovës nuk do ta pranonin asnjëherë në vendet e tyre respektive!
Shumë qartë, shumë shkurt, zonja presidente u tha edhe miqve tanë ndërkombëtarë se Kosova është shtet dhe jo laborator minjsh ku duhej të provoheshin gjithfarë eksperimentesh! Zonja presidente e bëri të qartë se ne jemi shtet, kemi ligje dhe ato ligje duhet të zbatohen njësoj për të gjithë, pa marrë parasysh nëse dikush flet shqip, serbisht apo turqisht!
Shteti i Kosovës, tha zonja presidente, asnjëherë nuk do të tolerojë prokurorë apo gjyqtarë që dirigjohen e ndikohen nga vendet fqinje, e aq më pak nga një vend armiqësor ndaj Kosovës, siç është Serbia dhe Vuçiqi! BRAVO, zonja presidente në detyrë, Albulena Haxhiu!
