U kontestuan pyetjet e provimit pranues të Mjekësisë, UP ndalon

0%

Rektorati i Universitetit të Prishtinës ka ndaluar përkohësisht regjistrimin e kandidatëve që janë pranuar për të studiuar në Fakultetin e Mjekësisë për vitin akademik 2026/2027. Kjo për shkak se në një pyetje të provimit pranues të Fakultetit të Mjekësisë, pas ankesave të kandidatëve, është vendosur që të pranohen dy përgjigje të sakta.

Kurse, në një pyetje tjetër të provimit ka pasur gabim teknik në çelësin e saj dhe është vendosur të merret e saktë një përgjigje tjetër. Rektori i UP-së, Arben Hajrullahu ka thënë për KALLXO.com se e kanë ndaluar regjistrimin e kandidatëve të pranuar në Fakultetin e Mjekësisë deri në sqarimin e rastit.

“Nuk mundemi ne me regjistru studentë në SEMS [Sistemin Elektronik të Menaxhimit të Studentëve] e tani me dal me thanë – jo ti nuk qenke, po veç te kemi regjistru, e po të çrregjistrojmë. Jo, jo. Këtë nuk do ta lejojmë… Kjo çështje duhet m’u sqaru gjithsesi para se me fillu afati i dytë [i pranimit të studentëve]. Nuk e paragjykoj.” – ka deklaruar Hajrullahu, më .

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Hajtullahu thotë se “këto lëshime në Fakultetin e Mjekësisë janë sipas të gjitha gjasave jo lëshime, gabime njerëzore apo teknike, po janë lëshime me paramendim.” KALLXO.com ka pranuar dy ankesa në lidhje me rivlerësimin e provimit pranues të disa kandidatëve.

Ankuesit deklarojnë se “pranimi i dy alternativave si të sakta vetëm për një grup kandidatësh, krijon pabarazi në procesin e vlerësimit” dhe sipas tyre, “ndikon drejtpërdrejt në renditjen përfundimtare të kandidatëve.” Nga Fakulteti e kanë konfirmuar për KALLXO.com, se shtatë kandidatë që u pranuan sipas listës preliminare të rezultateve, pas vendimeve për pyetjet e kontestuara, u hoqën nga lista përfundimtare dhe në vend tyre u pranuan shtatë të tjerë.

“Edhe te ne në Rektorat kanë ardhë prindër, studentë, palë të interesuara, të brengosura, të shqetësuara për këto lëshime.” – ka treguar Hajrullahu. Hajrullahu tha se e ka deleguar prorektoren Majlinda Gjelaj që ta kontaktoj Fakultetin e Mjekësisë dhe të sqarohet ky rast. Ai tha se dekani Sefedin Muçaj është përgjigjur në mbrëmje të datës .

E pas dy orësh, vetë rektori i ka shkruar të gjithë personelit akademik në Fakultetin e Mjekësisë, duke kërkuar sqarim në lidhje me përgjigjen e dekanit. “Ai flet për mirëbesim si dhe flet që nuk ka krijuar avantazh sistematik për kandidatët e testit B, kjo është gjuha e dekanit që e përdor në përgjigjen e tij.

Pyetja ime është në këtë rast nuk do duhej të flisnim as për mirëbesim dhe as për mungesë të një avantazhi sistematik. Ia kujtoj dekanit në fjalë që standardi që duhet të garantohet është një proces testimi që nuk i vendos kandidatët në pozitë të pabarabartë.” – tha Hajrullahu.

Hajrullahu tha se udhëzuesi i Universitetit për provimin pranues e thotë qartë se në pyetjet e këtij provimi ka vetëm një përgjigje të saktë. “Siç duket kandidatët pjesëmarrës në konkurs të grupit B janë vendos në pozitë më të favorshme kundruall grupeve të tjera.” – tha ai.

Ai ka kujtuar se edhe vitin e kaluar, më 2025, pati lëshime teknike në provimin pranues të Mjekësisë, e që po ashtu, në atë kohë Muçaj e udhëhoqi Fakultetin.

Hajrullahu tha se “nuk e përjashton asnjë masë bazuar në rregullat dhe procedurat në fuqi, në qoftë se ajo është e nevojshme edhe suspendimin e përkohshëm të dekanit Muçaj deri në sqarimin e rastit, unë nuk e paragjykoj se kush është aty përgjegjës apo edhe inicimin e procedurave për shkarkimin e përhershëm, po secili sipas përgjegjësive që ka për funksionet që ushtron.” Në lidhje me deklarimet e rektorit për “lëshimet me paramendim” dhe masat që mund t’i marrin ndaj përgjegjësve në këtë rast, dekani Sefedin Muçaj thotë se i respektojnë kompetencat dhe deklarimet e rektorit, si dhe shprehet “nuk do të komentojmë një çështje që është në trajtim institucional.” “Fakulteti i Mjekësisë respekton plotësisht procedurat institucionale.

Çdo vlerësim dhe çdo vendim lidhur me përgjegjësitë u takojnë organeve kompetente. Fakulteti do të respektojë dhe zbatojë çdo vendim të marrë në përputhje me procedurat në fuqi.” – ka thënë Muçaj për KALLXO.com, më . Sipas Muçajt, nuk ka pasur favorizim të asnjë kandidati apo grupi kandidatësh në provimin pranues.

Muçaj deklaron se komisioni i profesorëve të Kimisë që i ka përpiluar pyetjet për këtë lëndë të provimit pranues, ka dhënë vlerësimin profesional për pyetjen përkatëse, ndërsa Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave dhe Komisioni për Provim Pranues, në kuadër të kompetencave të tyre, kanë marrë vendimin përkatës.

“Vendimi është zbatuar në mënyrë të njëjtë për të gjithë kandidatët, në përputhje me vendimmarrjen e komisioneve kompetente, duke siguruar zbatim të barabartë të vendimit dhe pa asnjë trajtim të diferencuar. Për Testin A, komisionet kompetente nuk kanë konstatuar rrethana që kanë kërkuar një vendimmarrje të ngjashme.” – është përgjigjur Muçaj.

Për ndalimin e regjistrimit të kandidatëve të pranuar sipas rezultateve përfundimtare në Fakultetin e Mjekësisë, Muçaj thotë se e respektojnë dhe zbatojnë çdo vendim të organeve kompetente të Universitetit të Prishtinës.

“Do të vazhdojmë bashkëpunimin e plotë për përmbylljen sa më të shpejtë të procedurave, në interes të kandidatëve, të institucionit dhe të ruajtjes së integritetit të procesit.” – ka shtuar ai.

Kurse, profesori Armond Daci, kryetar i Komisionit për pranimin e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë tha se vendimi për rivlerësimin e pyetjes së Kimisë, së bashku me korrigjimin e miratuar në një pyetje të testit të Biologjisë, është reflektuar në rivlerësimin e rezultateve të kandidatëve përkatës.

“Si rezultat, është përditësuar renditja përfundimtare e kandidatëve dhe lista përfundimtare është hartuar mbi bazën e rezultateve të rivlerësuara, sipas procedurave të përcaktuara në konkurs.

Është me rëndësi të theksohet se ndryshimet në renditje kanë qenë pasojë ekskluzive e zbatimit të njëjtë të vendimeve të komisioneve kompetente për të gjithë kandidatët që ndodheshin në të njëjtat rrethana. Nuk është bërë asnjë trajtim individual, selektiv apo jashtë procedurës së paraparë.” – ka thënë profesori Daci.

Anëtarët e Komisionit të kryesuar nga Daci ishin: Valbona Govori, Shpend Elezi, Toskë Kryeziu, Xhevdet Krasniqi, Kastriot Meqa dhe Besarta Pelaj. Çka thonë profesorët që i përpiluan pyetjet e provimit?

Fakulteti i Mjekësisë ka kohë që e aplikon karantinën për përgatitjen e provimit pranues, ku profesorët që përpilojnë pyetjet nga lënda e Kimisë dhe Biologjisë izolohen për më shumë se 15 orë gjatë natës, deri në përfundimin e provimit. Provimi pranues u mbajt më .

Në testin e Kimisë pyetja e 17 në grupin B është e kontestuar, në të cilën ishte kërkuar të dihet se cili komponim organik fitohet gjatë reaksionit CH₃CH₂OH + H₂SO₄ në 180 gradë Celsius.

Profesori Arben Haziri, anëtar i Komisionit për përpilimin e pyetjeve të provimit pranues të Fakultetit të Mjekësisë nga lënda e Kimisë, ka sqaruar për KALLXO.com se sipas literaturës standarde të përdorur nga kandidatët (librit përkatës), përgjigjja e dhënë ka qenë dietil eteri.

Por, bazuar në literaturën bashkëkohore shkencore dhe në parimet e kimisë organike, sipas profesorit Haziri, dihet qartë se produkti i reaksionit varet nga temperatura: në rreth 140 gradë Celsiu formohet dietil eteri (reaksion ndërmolekular), në rreth 180 gradë Celsius dominon eliminimi intramolekular dhe formohet eteni.

“Pra, në kushtet e dhëna në pyetje (180 gradë Celsius), përgjigjja shkencërisht e saktë është eteni. Duke qenë se kemi konstatuar një mospërputhje ndërmjet formulimit në libër dhe të dhënave të pranuara në literaturën shkencore, komisioni ka vendosur që të pranojë si të sakta të dyja përgjigjet (edhe eteni, edhe dietil eteri), në mënyrë që të mos dëmtohet asnjë kandidat.” – ka thënë Haziri, më .

Haziri vlerëson se kjo qasje është ndërmarrë me qëllim të garantimit të drejtësisë dhe korrektësisë në vlerësim, duke marrë parasysh burimin nga i cili kandidatët janë përgatitur, si dhe saktësinë shkencore. Përveç tij, përpilues të pyetjeve nga lënda e Kimisë ishin edhe profesorët Ramë Vataj dhe Nimet Orqusha-Shqerexhiu.

Kurse, pyetja tjetër kontestuese e provimit nga kandidatët që u ankuan ishte në grupin B, pyetja e parë në testin e Biologjisë. Profesori Kemajl Bislimi nga Komisioni i përpilimit të pyetjeve të provimit pranues të Fakultetit të Mjekësisë nga lënda e Biologjisë, ka thënë se e kanë pranuar si të bazuar ankesën e kandidatëve për pyetjen e parë të grupit B.

“Në ditën e ankesave është vërejtur gabimi teknik në çelës dhe e kemi pranuar si ankesë me bazë, ashtu e tëra është e përshkruar në raport dhe bëhet fjalë për vetëm një pyetje në të tri drejtimet, e të cilën e kemi paraqitur në raport.” – ka thënë profesori Bislimi. Në Komisionin e profesorëve të Biologjisë ishin përpilues të pyetjeve edhe profesorët Mentor Sopjani dhe Elez Krasniqi.

Ekipi i KALLXO.com i përbërë nga gazetaret Arbrita Uka dhe Blinera Gashi kanë monitoruar karantinën e profesorëve të UP-së për përgatitjen e provimit pranues të Fakultetit të Mjekësisë, e cila zgjati 17 orë dhe u mbajt nga data e vazhdoi tërë natën më .

Burimi: Kallxo