Pesë raste vjedhjesh janë raportuar në vetëm dy ditë në zona të ndryshme të Kosovës, sipas raportit ditor të Policisë së Kosovës. Rastet përfshijnë vjedhje në shtëpi, tentativa për vjedhje në market, vjedhje të një arme zjarri, si dhe vjedhje të përsëritura dhe të pasurisë personale.
Në Zllatar të Prishtinës, persona të panjohur kanë depërtuar me forcë në një shtëpi dhe kanë vjedhur para të gatshme dhe stoli ari. Rasti po hetohet. Në fshatin Bardhosh të Prishtinës, dy persona dyshohet se kanë tentuar të kryejnë vjedhje në një market. Njëri prej tyre është arrestuar, ndërsa gjatë kontrollit i është gjetur një pistoletë me katër fishekë.
I dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa personi tjetër ndodhet në kërkim policor. Një rast tjetër është raportuar në Mamushë, ku një qytetari i është vjedhur një armë zjarri nga shtëpia. Në Obiliq, pas hetimeve, Policia ka arrestuar tre persona, të dyshuar për disa vjedhje të kryera ditë më parë.
Ndërkaq, në Zveçan është raportuar vjedhja e një telefoni mobil nga një veturë, me vlerë rreth 235 euro. Të pesë rastet janë raportuar më 22 dhe 23 korrik. Shpeshtësia e rasteve të tilla vërehet edhe në raportet e përditshme të Policisë së Kosovës, ku vjedhjet dhe veprat e tjera kundër pronës janë pjesë e rregullt e bilancit të rasteve të raportuara.
Sipas statistikave zyrtare të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2025 në vend janë regjistruar 3 mijë e 528 vjedhje dhe 2 mijë e 27 vjedhje të rënda. Po ashtu, janë raportuar 62 grabitje, të cilat përfshijnë përdorimin e forcës ose armëve.
Në total, në vitin 2025 janë regjistruar 26 mijë e 157 vepra penale, 3.54 për qind më pak krahasuar me vitin paraprak, kur ishin regjistruar 27 mijë e 118 raste. Megjithatë, numri i lartë i rasteve të vjedhjeve tregon se krimet kundër pronës vazhdojnë të jenë një nga kategoritë e shpeshta të veprave penale në Kosovë.
