Po mbahet në Gjykatën Administrative seanca e radhës gjyqësore për çështjen e Erion Veliajt të ngritur kundër emërimit të Prokurorit Ols Dado. Kryebashkiaku po merr pjesë në seancë ndërsa në sallën e gjyqit mungojnë përfaqësues të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Avokaturës së Shtetit. Veliaj kërkon shpalljen e paligjshëm të dekretit që emëroi Ols Dadon në detyrën e prokurorit.
Gjatë seancës, avokati i tij Plarent Ndreca ka kërkuar ndërhyrjen kryesore në proces të Shoqatës për Media dhe Drejtësi, duke argumentuar se kjo shoqatë ka interes të drejtpërdrejtë në përfundimin e këtij gjykimi. Ndreca deklaroi se Kodi i Procedurës Civile parashikon që çdo subjekt mund të ndërhyjë si palë në një proces gjyqësor nëse ka interes për çështjen.
“Shoqata ka identifikuar se përfundimi i këtij gjykimi lidhet drejtpërdrejt me interesat e saj. Kërkesa e shoqatës për ndërhyrje kryesore në gjykim duhet pranuar”, tha Ndreca. Gjykta vijon shqyrtimin e kërkesave procedurale dhe më pas pritet të vijojë me shqyrtimin e themelit të çështjes.
Padia e Veliajt Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj depozitoi më 23 janar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, një kërkesë-padi kundër institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë të vitit 2007-2012 dhe prokurorit të Posaçëm, Ols Dado, duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të këtij të fundit si prokuror nga noter që ishte në vitin 2008.
Sipas padisë emërimi i prokurorit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit ai nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit.
Veliaj kërkon gjithashtu, që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe ushtrimit në mënyrë të paligjshme të detyrës të prokurorit në fjalë.
“Presidenti i Republikës ka lëshuar një dekret në kundërshtim të hapur me dispozitat urdhëruese procedurale të ligjit nr. 8737, duke realizuar një emërim pa bazë ligjore dhe në mungesë të kompetencës materiale ratione personae për të emëruar një subjekt që nuk përmbushte kriteret e ligjit.
Ky fakt përbën një shkelje flagrante të rendit juridik dhe një rast tipik të pavlefshmërisë absolute të një akti administrativ, në kuptim të nenit 108 të Kodit të Procedurave Administrative, pasi: (i) akti është nxjerrë në kundërshtim flagrant me normat urdhëruese të ligjit; (ii) personi i emëruar nuk plotësonte kushtet e përgjithshme dhe të posaçme ligjore; dhe (iii) organi publik ka ushtruar kompetencën e tij për emërim në shkelje të kushteve procedurale të vlefshmërisë së aktit, duke e bërë dekretin juridikisht të paefektshëm dhe nul abinitio”, thuhet në kërkesë padi.
